Avokati i Popullit kërkon të parandalohen diskriminimet ndaj të moshuarve nga bankat komerciale

Institucioni i Avokatit të Popullit sipas detyrës zyrtare ka hapur rastin Ex-officio Nr. 450/2018 përkitazi me trajtimin e pabarabartë të pensionistëve nga ana e bankave komerciale në Kosovë, në ofrimin e shërbimeve të kreditit bankar.

Në komunikatën për media, thuhet se aktualisht, sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, numri i përgjithshëm i pensionistëve në Republikën e Kosovës, kap shifrën prej 206.534 personash.

Në anën tjetër, në Kosovë, licencën për punë e kanë 11 banka komerciale, të cilat e kryejnë veprimtarinë e tyre në përputhje me “Ligji nr. 04/l-093” për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare jo Bankare si dhe me aktet nënligjore të Bankës Qendrore të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Megjithatë, në kuadër të shërbimeve bankare, bankat komerciale nuk kanë krijuar qasje në kredi për kategorinë e personave mbi moshën 65 vjeçare, konkretisht kategorinë e pensionistëve, duke rezultuar kështu në trajtim të pabarabartë dhe diskriminues mes kategorive te ndryshme, mbi bazën e moshës së qytetarëve. Bazuar në analizën ligjore dhe atë të gjendjes faktike, Institucioni i Avokatit të Popullit përmes këtij raporti ka rekomanduar Bankën Qendrore dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës që të ndërmarrin veprime konkrete për miratimin e reformave në politikat e kreditimit të bankave në Kosovë, me qëllim të parandalimit të diskriminimit ndaj qytetarëve të moshuar, përkatësisht të pensionistëve, për shfrytëzimin e këtij lloj shërbimi bankar”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Më 2 korrik 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës, përmes së cilës është informuar se BQK ka kërkuar nga të gjitha bankat komerciale rishikimin e politikave te tyre si dhe ka kërkuar angazhim në përputhje me rekomandimet e Avokatit të Popullit, të cilat më pas do të jenë subjekt i ekzaminimit nga ana e BQK-së.

“Rrjedhimisht, Institucioni i Avokatit të Popullit e vlerëson bashkëpunimin e Bankës Qendrore të Kosovës në angazhimin e saj drejt zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe beson se pensionistët nuk do të diskriminohen por do kenë mundësi dhe qasje të barabartë sa i përket përfitimit nga shërbimet bankare për marrjen e kredive”, thuhet në komunikatë. /Koha.net/