Disa ish-punëtorë të ndërmarrjes “Ramiz Sadiku” ende nuk e kanë marrë 20 përqindëshin

Të anashkaluar dhe pa asnjë adresë të saktë ankimi për të drejtat e tyre po ndihen ish-punëtorët e ndërmarrjes “Ramiz Sadiku”, tashmë e privatizuar.

Idriz Zhinipotoku deklaron se pas privatizimit të kësaj ndërmarrjeje atyre nuk iu është dhënë 20 përqindëshi i parave nga shitja.

Ankesat e tyre tregojnë se i kanë adresuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, porse atyre vetëm iu ishte kumtuar se afati ligjor për aplikim kishte kaluar, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Zhinipotokut, 20 përqindëshi iu është dhënë punëtorëve që kanë punuar pas luftës, duke anashkaluar ata që kanë dhënë kontribut të madh aty.

Ai shton se largimi i tyre prej listave të punëtorëve dhe dhënia e 20 përqindëshit për persona që nuk kanë kontribuar, është bërë prej sindikatës së vetëquajtur të “Ramiz Sadikut” dhe një grupi të vogël personash.

Përfaqësuesi i këtij grupi punëtorësh, thotë se institucionet po e bartin përgjegjësinë te njëra-tjetra duke mos u dhënë atyre asnjë përgjigje.

Një tjetër ish-punëtor i kësaj ndërmarrjeje, Maliq Demiri, tregon se kishte punuar aty për 18 vjet duke shtuar se për privatizim nuk u njoftua asnjëherë.

Por, Agjencia Kosovare e Privatizimit, e konsideron këtë proces të mbyllur.


Përmes një përgjigje, zyrtarë për media i kanë thënë KTV-së e se dokumentacioni për shpërndarjen përfundimtare për punëtorët e kualifikueshëm të kësaj ndërmarrjeje është kompletuar përfundimisht në maj të 2014-s kur edhe ka përfunduar.

Aty shtohet se në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës brenda afatit ligjor janë parashtruar 1235 ankesa, nga të cilat kjo Dhomë aprovoi 748 ankesa të punëtorëve dhe refuzoi 590, derisa pjesa e përfituesve të 20 % u rrit nga 536 në 1284.

Punëtorët e kësaj ndërmarrjeje paralajmërojnë se nuk do të ndalen së kërkuari të drejtat e tyre, që thonë se u takojnë për kontributin e dhënë në këtë ndërmarrje.