Djali i axhës së Kadri Veselit bëhet drejtor në Byronë e Sigurimeve

Me largimin e vëllait të Hashim Thaçit nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, hise të rëndësishme aty tani ka marrë Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit dhe PDK-së.

Fadil Veseli, djali i axhës së kryeparalamentarit, është avancuar në udhëheqës të Departamentit të Financave në Byronë e Sigurimeve vitin e fundit, e aty punon që nga 2011-a, raporton KTV.

Veseli është edhe asamblist komunal i Partisë Demokratike në Mitrovicë, pozitë të cilën e mban ende.

Reklama e sponzorizuar

Për mënyrën e emërimit të tij në këtë pozitë, KTV-ja ka dërguar pyetje në Byro të Sigurimeve, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Vetë Veseli, përmes telefonit, ka pranuar se ushtron këtë funksion në të cilin thotë se në qershor të 2018-s u emërua dhe pozitën e udhëheqësit të Financave e ka ushtruar për 6 muaj paraprakisht.

“U kanë një konkurs, u themelu prej shoqatës Byroja, u kanë një konkurs e pata konkurru qaty e rroki kuota”, ka thënë Fadil Veseli, udhëheqës i departamentit të Financave në BKS.

Pas kësaj bisede telefonike të mërkurën, Veseli ka pranuar të japë intervistë për KTV-në, por pastaj e ka shtyrë atë, e krejt në fund nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se nuk i pëlqen të deklarohet para kamerës.

Në telefon, Veseli ka thënë se jo që nuk e ka ndihmuar kryetari i Kuvendit që të punësohet, por në disa raste e ka penguar, përfshirë dëshirën e tij për t’u bërë drejtor ekzekutiv i Byrosë së Sigurimeve të Kosovës para dy vjetësh.

Fadil Veseli – Udhëheqës i Departamentit të Financave në BKS:

“U kan konkursi i hapun publik dhe të gjitha kriteret që jon kan të përfshime në konkurs, jom kan i interesum me konkuru. Mirëpo në momentin e fundit, ditën e fundit m’ka sinjalizu, tha mos konkuro edhe jam tërhjek .

D.m.th. të ka thanë Kadri Veseli mos me konkuru?

Po normal, se na djalë të axhës e kem edhe kem kontakte familjare me të.

E për çfarë arsye iu ka thanë mos me apliku?

Nuk kemi bisedu ma gjatë për këtë çështje, por ky është realiteti.

Por, Veseli nuk e ka këtë punën e tij të vetme në institucione të rëndësishme. Ai deri në vitin 2011, ka udhëhequr financat e KEK-ut në pozitën e drejtorit.

Javë më parë, Byroja Kosovare e Sigurimeve, siç ka raportuar Koha Ditore, e ka dërguar në pensionim të hershëm Gani Thaçin, vëllanë e Presidentit të Kosovës, duke arritur marrëveshje me të.

Pos pagës së tij mujore që do ta marrë deri në moshën e pensionimit, Thaçi do të paguhet edhe me 200 mijë euro ekstra për këtë pensionim të hershëm nga pozita që e ka mbajtur që nga 2007-a.

Mbi 80 milionë euro llogaritet se është tregu i sigurimeve në Kosovë.

BKS-ja nuk është institucion qeveritar, por rregullohet me tri ligje: atë mbi Shoqëritë Tregtare, Ligjin për Sigurime dhe atë mbi Sigurimet e detyrueshme nga Auto-përgjegjësia.

Byroja i nënshtrohet mbikëqyrjes së Bankës Qendrore të Kosovës. /Koha.net