Ende nuk janë suspenduar zyrtarët për dallavere me patentë shofer

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ende nuk i ka suspenduar 16 zyrtarë të Departamentit për Patentë Shofer, të cilit janë arrestuar më 5 korrik për dallavere me patentë shofer. Gjykata Themelore ka marrë vendim që këta zyrtarë të mbahen në arrest shtëpiak.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj në një intervistë për KosovaPress, thotë se është përgjegjësi e sekretarit të ministrisë të vendos për suspendimin ose jo të zyrtarëve të arrestuar ditë më parë.

Ministri Lekaj thotë se ka kërkuar nga sekretari që të veprojë në harmoni me ligjet në fuqi për të marrë shpejt vendim lidhur me këtë çështje.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk është në domenin tim që të marr vendime, është zyrtari kryesor që mbikëqyr administratën e përgjithshme, sekretari i Ministrisë dhe ai këto ditë nëse nuk ka marrë vendim, do të merr vendim për suspendim ndaj të gjithë zyrtarëve, sepse kanë arrest shtëpiak deri në një vendim të gjykatës…. Dje kam biseduar dhe besoj se ai ka marrë vendim, por nuk jam I njoftuar zyrtarisht ende”, deklaron Lekaj.

Ndërkohë, sipas burimeve, arrestimi është bërë si shkak i dyshimit se zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës kanë ndihmuar personat e interesuar që të pajisen me patentë shoferi, në disa kategori pa u testuar, kundrejt një pagese nga 400 deri në një mijë euro.

Ministri Lekaj duke folur për rezolutën e Kuvendit dhe për peticionin e qytetarëve me 10 mijë nënshkrime për heqjen e obligimit të homologimit të automjeteve, thotë se do të fillojnë procedurat për plotësim-ndryshim të Udhëzimit Administrativ dhe për plotësim-ndryshim të ligjit, sepse Udhëzimi Administrativ buron nga ligji për automjete.

“Sa i përket rezolutës në kuvendin e Kosovës, nga deputetët e zgjedhur nga qytetarët edhe pse nuk është obligative rezoluta unë do ta kem parasysh dhe do të fillojmë plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ. Asnjëherë nuk e kam thënë dhe askush nuk është që të kemi monopol në këtë drejtim, para 10 vjetëve është dhënë e drejta, licenca, për homologim ”Euro Labit” dhe ne e kemi respektuar sepse ka pas një kontratë 10-vjeçare… Prandaj në këtë drejtim mund të diskutohet sa i përket udhëzimit administrativ për kriteret që janë shumë të ashpra por unë mendoj që tani meqë edhe qytetarët po kërkojnë edhe se sot dorëzohen peticioni me 10 mijë nënshkrime… ne jemi këtu për të punuar për qytetarët dhe unë mendoj që tregu do të liberalizohet edhe pse udhëzimi administrativ nuk e ndalon tregun, përkundrazi e hap tregun, mirëpo që me kritere siç janë në Bashkimin Evropian”, thotë Lekaj.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit paralajmëron se pas disa diskutimeve me ekspert, shumë shpejt do të dalë me një vendim sa i përket zbritjes së çmimeve për homologimin e automjeteve.

Për autostradën e Dukagjinit që po kundërshtohet nga opozita dhe nuk po pajtohet as partneri qeverisës nga disa ministra të PDK-së dhe AKR-së, ministri i MIT, thotë se mjerë për ata politikanë dhe ata ekonomistë që kur thonë që duhet të investohet për vende të reja të punës dhe nuk duhet që të zhvillohet infrastruktura që ka ndikim në zhvillim ekonomik, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e GDP-së.

“Mjerë për ata politikanë dhe ata ekonomistë që kur thonë që duhet të investohet për vende të reja të punës dhe nuk duhet që të zhvillohet infrastruktura që ka ndikim në zhvillim ekonomik, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e GDP-së, atëherë unë nuk kam koment për ata politikanë, qofshin të pozitës qofshin të opozitës…13:50-14:28 Do të jetë projekti më i lirë i mundshëm, sepse terreni apo relievi nuk është aq i papërshtatshëm dhe ne kemi zgjedhur trasenë që kosto nuk do të jetë e shtrenjtë. Sa i përket shpronësimeve nuk janë 500 milionë dhe është prejudikim i t ‘gjithë çmimit, na e kanë dhanë si parallogari për ndërtim, kanë menduar diku 560 milion por nuk do të thotë që është çmimi përfundimtar sepse tregu është i lirë dhe mund të ofertojnë ofertuesit me çmime shumë ma të lira”, thotë ai.

Për zvarritjen e punimet të zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë, ministri Pal Lekaj deklaron se projekti për zgjerimin e kësaj rruge ka qenë i pa implementueshëm në terren për arsye se ka probleme me shpronësim, e jo për çështje politike.

“Ne kemi probleme me shpronësim, paraprakisht është dashtë që të bëhet elaborati i shpenzimeve, që të merren vendimet në Qeverinë e Kosovës pastaj të mos kemi pengesa nga qytetarët sepse prona është e shenjtë dhe qytetarët kanë të drejtë ta mbrojnë pronën e vet derisa nuk ka një vendim të Qeverisë për shpronësim. Pas marrjes së përgjegjësive si ministër i kemi hyrë revidentimit të projektit dhe e kam pa mbështetjen financiare për atë projekt, mendoj që ka qenë shumë simbolike dhe më është dashtë të ndryshoj strukturën e brendshme të buxhetit për të realizuar atë projekt…(24’06) Podujeva, ka pësuar me stërzgjatje e këtij projekti, por nuk dua ta hedh fajin askund, mirëpo mendoj që projekti që ka qenë nuk ishte i favorshëm për implementim. Tani ne po i kryejmë obligimet tona dhe shpresoj që gjithçka do të jetë në suaza të kontratës”, pohon Lekaj.

Ndërsa, për projektin e rrugës Kijevë-Zahaq, ministri Lekaj thotë se ekzistojnë fondet BERZH-it dhe Bankës Investive Evropiane, të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe pritet drita e gjelbër për procedurën tenderuese.

Sipas ministrit Lekaj, pritet të nis ndërtimi në tetor dhe të përfundon brenda 24 muajve.

“Mendoj që meqë është buxheti, kompanitë përzgjedhëse do të jenë serioze dhe shpresoj që do të jemi korrekt në implementim. Tani varet prej procedurave… (Këtë vit) Ka gjasa diku nga mesi i tetorit, unë pata premtuar se shumë shpejt procedurat do të shkojnë, por kriteret e Bashkimit Evropian aq të mëdha sa që ne duhet çdo milimetër të shikohet dhe të përfundoj në terren paraprakisht që kur të fillohet të mos kemi më probleme”, deklaron ai.

Ministri i MIT ka folur edhe për projektet hekurudhore, sipas të cilit, do të ketë restaurim të hekurudhave për Podujevë, për Prizren, Pejë dhe për ndërtimin e hekurudhës nga Prizreni ose Gjakova me Shqipërinë.