Për një të dënuar dhe një tjetër të suspenduar, autoritetet më të larta shtetërore kanë marrë vendim këtë javë që të vihen në krye të dy prej misioneve që Kosova i ka jashtë vendit. Beqir Ismaili është dërguar në krye të Ambasadës në Riad, kurse Esat Brajshori në krye të Konsullatës në Zarë, shkruan sot Koha Ditore.
Vendimin për Ismailin e ka firmosur të hënën Behgjet Pacolli, ministër i Punëve të Jashtme. E ka bërë këtë, diku një muaj pasi për të “Koha Ditore” ka raportuar se është dënuar për plagjiaturë nga një gjykatë në Egjipt.
“Z. Beqir Ismaili lirohet nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë Diplomatike”, thuhet në vendimin e Pacollit, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta.“Z. Beqir Ismaili, nga pozita e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dërgohet si i ngarkuar me punë të përkohshme në misionin diplomatik të Republikës së Kosovës në Riad/Arabia Saudite”, vijohet më tej dhe saktësohet se detyra e re do të nisë më 15 korrik.
Në Ministri nuk kanë thënë zyrtarisht se largimi nga Akademia është pasojë e dënimit për plagjiaturë.