Ish-drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, sot iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Komisionit Hetimor për PTK-në. Aty Mustafa pati përplasje sidomos me deputetin, Milaim Zeka.
Gjatë mbledhjes së Komisionit, Zeka akuzoi se biografia e Mustafës flet shumë, e më së shumti për rrahje. “ Ke rrah femra në lokale e deri te rrahja që ke bërë brenda institucionit ku ke qenë” ka thënë Zeka. Ai tutje ka shtuar se nuk ka asgjë personale me Mustafën e as Mustafa nuk mund të ketë asgjë personale me të.
Nga ana e tij, Mustafa kërkoi nga Komisioni që të mos merret në pyetje nga Zeka, sipas tij, për shkak të konfliktit të interesit.
Por Mustafa më vonë në rrjetin e tij social facebook, akuzoi Zekën për mijëra euro përfitime nga Telekomi. Ai thotë se përmes kompanive të tij “Mozaik” dhe “Pa Rrotlla”, ka marrë nga Telekomi, rrafsh 100 mijë euro.
“Sot, me fillim te intervistimit ne Komisionin Hetues Parlamentar per Telekomin e Kosoves, paraqita konfliktin e interesit te perhershem te Deputetit Milaim Zeka qe nga formimi i ketij Komisioni. Kete paraqitje e kam bazuar ne: 1. Mbi 100,000 Euro te marra nga Telekomi i Kosoves per firmat/bizneset e Milaim Zekes nder vite, duke perfshire edhe mandatin tim te Drejtorit Menaxhues dhe 2. Mungesen e paanshmerise dhe objektivitetit te tij ne raport me punen e komisionit dhe mua personalisht”, ka shkruar Mustafa në rrjetin e tij social, facebook.