Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale, bashkë me urën për kyçje në autostradën “Ibrahim Rugova” në lagjen “Veternik” të kryeqytetit, kanë bërë që të krijohen kolona të gjata.
Qytetarët të cilët duan të dalin nga Prishtina përmes kësaj rruge, po përballen me pritje të mëdha.
Mbi një orë po presin qytetarët të cilët duan të dalin nga Prishtina përmes lagjes Veternik. Kjo po ndodh për shkak të punimeve në këtë lagje për zgjerimin e rrugës, raporton KTV.
Nga punimet në rrugë, po shkaktohen edhe aksidente në komunikacion.
Madje, qytetarët ankohen se punimet nëpër rrugë po ndodhin zakonisht në kohën kur vendin po e vizitojnë bashkatdhetarët.
Qytetarët janë të frustruar me këtë gjendje, derisa fajin ua hedhin institucioneve.
Në Ministrinë e Infrastrukturës, thonë se kolonat e gjata po krijohen pasi që udhëtarët nuk po i respektojnë rregullat e trafikut.
Kolona të gjata po ka edhe në magjistralen për Gjilan, derisa hyrja në qytet nga kjo pjesë është më pak e ngarkuar.
Projekti i rrethrrotullimit të ri në Veternik do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 2.5 milionë euro dhe punimet në të pritet të përfundojnë në një afat kohor prej rreth 6 muajsh.