Si në çdo sektor publik në Kosovë edhe në industrinë nxjerrëse shihet që kompanitë që janë të afërta me subjekte politike janë përfituese të licencave nga institucionet përkatëse.
Preportr ka hulumtuar të gjitha kompanitë që kanë marrë licenca për eksploatim të rërës, zhavorrit dhe gurit për të parë lidhjet e tyre me parti politike.
Lidhjet e kompanive me politikën fillojnë nga donatorët e subjekteve politike dhe vazhdojnë deri në zyrtarë të lartë partiakë e institucionalë.
Nga 279 kompani të cilat kanë marrë licenca, Preportr ka gjetur se 42 prej tyre kanë lidhje me politikën. Këto kompani kanë marrë 116 licenca nga KPMM.
25 biznese që kanë dhënë donacione për parti politike kanë marrë 56 licenca (18 kompani financues të PDK-së kanë marrë 41 licenca, gjashtë kompani financuese të LVV-së kanë marrë 11 licenca, dy kompani financuese të AAK-së kanë marrë pesë licenca).
Katër kompani të cilat kanë marrë 19 licenca janë të afërta më disa deputetë apo ish deputetë të Kuvendit të Kosovës. Nga këto kompani dy janë të lidhura më PDK-në të cilat kanë marrë shtatë licenca ndërsa dy kompani që janë të lidhura me LDK-në kanë marrë 12 licenca.
Dy kompani të cilat kanë marrë shtatë licenca janë të lidhura me drejtorë komunal që vijnë nga radhët e PDK-së.
Katër kompani të cilat kanë marrë gjashtë licenca janë të lidhura me këshilltarë komunal që vijnë nga radhët e PDK-së.
Dy kompani të cilat kanë marrë dy licenca janë lidhura me dy zv. ministra njëri prej tyre nga AAK dhe tjetri nga PDK.
Një kompani e cila ka marrë dy licenca ka afërsi me një kryetar komune i cili është nga radhët e LDK-së.
Katër kompani të cilat i kanë marrë 24 licenca kanë afërsi të ndryshme me subjekte politike apo me njerëz me ndikim nga PDK./Preportr