Kontrata e MIE-së me kompani lobuese amerikane po shihet si e dyshimtë dhe absurde

Dhurata Hoxha vazhdon edhe sot heshtjen për kontratën mes Ministrisë së Integrimit Evropian të cilës ajo i prin dhe firmës lobuese amerikane “Madison Global Strategies, LLC “për konsulencë dhe planifikim strategjik”.

E kontratën, po e cilësojnë absurde dhe të dyshimtë njohës të çështjes në vend.

Ndonëse kontrata është nënshkruar nga Ministria, person kontaktues shihet të jetë kryetari i PDK-së, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kasdri Veseli.

Reklama e sponzorizuar

Dje, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme ministrja Hoxha është pyetur nga deputetja për detajet e kontratës nga deputetja Fitore Pacolli, por që është akuzuar se nuk po dëshiron t’i përgjigjet në pyetjen e saj.

Deputetja Fitore Pacolli i ka thënë sot portalit Koha.net se ka dyshime për keqpërdorim në këtë kontratë, pasi që sipas saj, aty figuron edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Sipas saj, kjo kontratë do të shfrytëzohet nga PDK-ja.

“Ka dyshim për keqpërdorim me këtë kontratë del se personi me të cilin kontakton kompania është Kadri Veseli. Në këtë rast Kadri Veseli është kryetar partie dhe kryetar Kuvendi, pse duhet me figuru ai me një kontratë që e ka nënshkruar Ministria e Integrimeve. Kjo i bie që kjo është kontratë që ka me u shfrytëzu nga PDK-ja”, ka thënë ajo.

Pacolli ndër të tjera ka shtuar se duhet të merren masa edhe ndaj Ministrisë edhe ndaj kryetarit të Kuvendit.

Ajo thotë se një kontratë e tillë është shkelje e të gjitha rregullave që ekzistojnë.

“Ne do të shohim se çfarë hapash do të ndërmarrim por kjo nuk duhet të mbetet me kaq. Ne duhet të ndërmarrim masa edhe ndaj Ministrisë por edhe ndaj kryetarit të Kuvendit sepse ky është keqpërdorim. Është shkelje e gjitha rregulloreve që eksitojnë”, thotë ajo.

Ajo ka thënë se ministrja Hoxha ka tentuar t’i ikë përgjigjes kur është pyetur të mërkurën në Komisionin për Punë të Jashtme.

“Arsyetimi i saj ishte se na vyn për na ndihmu sidomos për IPA-3 dhe unë i kam thënë se IPA 3 ka të bëjë me Bashkimin Evropian dhe jo me Amerikën, ajo ka thënë se po na duhet edhe në Amerikë”, ka përfunduar Pacolli.

Lidhur me këtë kontratë sot ka reaguar edhe deputeti i pavarur, Korab Sejdiu.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se Ministria e Integrimit Evropian ka nënshkruar kontratë qindra mijëra euro për lobim në SHBA e që sipas tij, do t’i shërbejë personalisht Kadri Veselit.

“A janë more këta në tokë të bukës! Ministria e Integrimeve EVROPIANE (jo integrimeve amerikane) nënshkruan kontratë qindra mijëra euro me kompani lobimi në SHBA (jo në BE), për me i sherby personalisht Kadri Veselit. Për këta ‘njerëz’, burgu pak është”, ka shtuar ai.

Ndërkaq sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje për marrëdhënie me jashtë, Kreshnik Ahmeti, ia ka rikujtuar ministres Hoxha se nuk është në kompetencat e saj lobimi në Amerikë.

Sipas tij, një kontratë e tillë është absurde.

Ai thotë se duhet t’i tregohet ministres se SHBA-të nuk janë në kontinentin e Evropës.

“Ministria për Integrime Evropiane ka nënshkruar kontratë me një kompani amerikane, për të siguruar takime me kongresmenë amerikanë dhe zyrtarë të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump. Duhet t’ia përkujtojmë ministres se SHBA-ja nuk gjendet në kontinentin e Evropës, rrjedhimisht nuk janë pjesë e BE-së”, ka shkruar ai.

Ahmeti tutje ka shtuar se absurditeti tjetër i kësaj kontrate qëndron tek personi kontaktues, e që është kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

“Absurditetit që një Ministri e ngarkuar me çështjen e integrimeve evropiane, siguron shërbime për lobim në ShBA, i mbivendoset absurditeti tjetër, që person kontaktues për këtë kontratë të Ministrisë është Kryeparlamentari Veseli”, ka shkruar ai.

Sipas tij, kusht i domosdoshëm për integrime evropiane është lufta kundër korrupsionit. Prandaj, Ahmeti thotë se, nuk mund të ketë përparim në këto integrime me njerëz që e shfrytëzojnë vet procesin e integrimeve, për korrupsion.

Koha.net ka provuar të kontaktojë me ministren Dhurata Hoxha dhe është në pritje të përgjigjes së saj.