Mosllogaritja e duhur e TVSh-së së një produkti, nga ana e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (ShSKUK) ka bërë që njoftimi për dhënie të kontratës për lotin e parë të tenderit “Furnizim me Citostatik nga Lista Esenciale për nevojat e ShSKUK-së” të anulohet.
Ky lot i tenderit, vlera e paraparë e të cilit ka qenë 110 mijë e 700 euro, me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) është kthyer në rivlerësim. ShSKUK-ja kontratën për këtë lot ia kishte dhënë kompanisë “Exclusive Corporation”, oferta e së cilës ka qenë 90 mijë euro, 2 mijë e 700 euro më e lirë sesa e operatorit “Rona Fram”, ankesa e të cilit është pranuar nga OShP-ja, shkruan sot Koha Ditore.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik “Rona Farm”, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “furnizim me citostatik nga Lista Esenciale për nevojat e ShSKUK-së .. Anulohet njoftimi për dhënie të kontratës … dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Pas këtij vendimi Autoriteti Kontraktues në afat prej 10 ditësh duhet ta informojë me shkrim Panelin shqyrtues të OShP-së për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.