Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka paguar për një vit rresht 18 punëtorë nga komuniteti serb në veri, ani pse asnjëri prej tyre nuk kishte punuar për asnjë ditë në vendin e tij të punës, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm, më këtë veprim, buxheti i shtetit u dëmtuar për 92 mijë e 336 euro.
Punësimi i këtyre punëtorëve derivon prej vendimit të Qeverisë, në vitin 2015, që është bazuar në marrëveshjen e Brukselit, për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtje civile” në veriun e Mitrovicës. Marrëdhënia e punës për këta punëtorë ishte formalizuar në vitin 2016, në pozitat si zyrtarë për monitorim të zhvillimit ekonomik në nivel lokal.
Përkundër kësaj, Auditori i Përgjithshëm për vitin 2018, nuk kishte hasur në asnjë dëshmi, se këta punëtorë janë paraqitur në vendin e punës, si dhe asnjë dëshmi për realizimin e ndonjë nga detyrat e përcaktuara në kontratat e tyre të punës, megjithëse për pagat e tyre, nga buxheti i shtetit gjatë këtij viti ishin derdhur 92 mijë e 336 euro.
Sipas Raportit të Auditorit, kjo gjendje ka ardhur nga mospërfillja e rregullave në kontratë, nga ana e punëtorëve dhe nga përpjekja e pamjaftueshme e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, për t’i angazhuar ata, e që në të njëjtën kohë ka shkaktuar edhe dëmtimin e buxhetit të shtetit nga pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, dhe gjithashtu mos arritjen e objektivave për integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.
“Ministri duhet që të shqyrtoj arsyet e mosvijimit në punë të këtyre punëtorëve, të zgjidhë problemin e angazhimit të tyre të rregullt në punë, ose në të kundërtën, të ndërpres pagesat e pagave të tyre të parregullta. Për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministri rekomandohet çështjen e mëtejme të këtyre pagesave ta adresoj edhe në Qeveri”, thuhet më tej në këtë raport. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/