Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar të gjithë qytetarët se nga data 1 Korrik 2019 mund të aplikojnë për rimbursim nga kuponët fiskal.
Ky aplikim për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal për tremujorin e dytë -2019, ka filluar nga data 1 Korrik 2019 dhe do të vazhdojë deri më 31 Korrik 2019.
Aplikimi duhet të bëhet duke plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal që duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal. Aplikimi do të bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit.
“Fituesit potencial do të rimbursohen me dhjetë përqind (10%) të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se njëqind euro (100 €)” thuhet në këtë lajmërim, që ka bërë Administrata Tatimore e Kosovës në llogarinë e tyre, në facebook.
Numri minimal i kuponëve fiskal të dorëzuar për rimbursim duhet të jetë 60 kuponë dhe me shumën minimale dyqindepesëdhjetë euro ( 250€ ).
Gjithashtu, Administrata Tatimore e Kosovës kërkonë nga qytetarët që të kenë kujdes me llogaritë e tyre bankare, pra, të sigurohen që llogaria të cilën e kanë deklaruar në aplikacion për rimbursim të jetë funksionale me qëllim që rimbursimi i mjeteve të bëhet pa problem, Kjo Administratë lut qytetarët të sigurohen që llogaria e tyre bankare mund të kreditohet, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas tyre, ky organ nuk do të merr asnjë përgjegjësi nëse llogaria bankare e aplikuesve është e mbyllur apo jo funksionale për çfarëdo arsye që bankat mund të deklarojnë. /Buletini Ekonomik/