Për 10 vjet u fiskalizuan vetëm 40 për qind e bizneseve

Mbi 37 mijë e 400 biznese vazhdojnë t’i ikin tatimit të shtetit. Rreth 10 vjet pas fillimit të procesit të fiskalizimit që i obligon bizneset që të pajisen me arka fiskale, ato nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Nga 63 mijë e 25 biznese të cilat ushtrojnë aktivitete biznesore, deri më tani janë fiskalizuar vetëm 23.271 apo 40 për qind e bizneseve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se shkalla e informalitetit është rreth 30 për qind e bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra i bie diku rreth 1.8 miliardë euro në vit.

Reklama e sponzorizuar

Për t’iu shmangur nivelit të lartë të ekonomisë joformale, Administrata Tatimore filloi procesin e vendosjes së arkave fiskale, përmes së cilit përmes arkave fiskale do të regjistroheshin të gjitha hyrjet dhe shitjet në dyqan.

Por ky proces u zvarrit për vite të tëra, pasi bizneset hezitonin që të pajisen me arka fiskale. Në kundërshtim të madh hasi nga naftëtarët, që llogariten si biznese me qarkullim të madh, e të cilat ende nuk janë fiskalizuar në tërësi.