Shifrat e turizmit në Kosovë shënojnë rritje nga viti në vit, por kapacitetet ekzistuese turistike nuk duket se ndjekin këtë trend. Ndonëse pjesa më e madhe e turistëve zgjedhin Prishtinën gjatë vizitave të tyre, kryeqyteti ka vetëm një pikë informative për të huajt që janë të interesuar të krijojnë një pasqyrë për vendet që duhet të frekuentohen, shkruan sot Koha Ditore.
Më 18 shtator të vitit të kaluar, si pjesë e një pilot-projekti mes programit të “Swisscontact” dhe Komunës së Prishtinës në sheshin “Zahir Pajaziti” ishte hapur kioska e parë informative për turistët. Përderisa në Strategjinë për Turizëm, të funksionalizuar vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës ia kishte vënë vetes synim rritjen e vizitorëve për 100 për qind deri në vitin 2022, nxitjen e tyre për të shpenzuar më shumë dhe gjenerimin e 3 mijë vendeve të reja të punës, udhërrëfyesit lokalë nuk janë të kënaqur nga oferta turistike e kryeqytetit.
Përgjegjësja e të vetmes kioskë informative në Prishtinë, Lindita Cërvadiku – Dibra ka thënë se turistët e huaj që vizitojnë këtë pikë janë më së shumti të interesuar për harta orientimi.