Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke e shqyrtuar mundësinë që të kërkojë anulimin e patentë-shoferëve që janë marrë kohëve të fundit, e që mund të kenë qenë pjesë e skemës së organizuar të keqpërdorimeve.
Nën dyshimin se kanë dhënë leje për drejtim të automjeteve, me pagesë e pa kaluar procedurat, Policia ka arrestuar të premten 23 persona.
Prokuroria e ka cilësuar rastin si voluminoz për çka ka thënë se po i merr kohë që t’i shqyrtojë të gjitha dokumentet e kallëzimit penal, e kështu të definojë edhe numrin e personave që kanë përfituar patentë-shoferë në mënyrë të kundërligjshme, raporton KTV.
Në një përgjigje me shkrim të këtij institucioni, thuhet se ende është herët të definohet kjo dhe se rasti është në fazën preliminare të hetimeve.
Numri i madh i të arrestuarve ka ndikuar që gjykatësi të mos vendos edhe gjatë së hënës për masën e sigurisë.
Nëpërmjet telefonit, gjykatësi Arben Hoti ka thënë se janë duke i analizuar provat e paraqitura nga Prokuroria gjatë së dielës dhe se masa e sigurisë do të vendoset të martën.
Derisa 16 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, gjenden në mbajtje, ministri Pal Lekaj nuk ka asnjë plan për suspendimin ose jo të tyre.
23 persona u arrestuan gjatë së premtes, me dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, si dhe “Marrje ryshfeti”.
Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të dielën, 4 prej të arrestuarve u liruan nga mbajtja për t’u mbrojtur në liri. /Koha.net/