Një ditë pas hulumtimit të Buletinit Ekonomik lidhur me keqpërdorimet në projektin për hapjen e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj, Shqiprim Lubishtani, anëtar i bordit në këtë qendër, ka ofruar dorëheqjen e tij, përcjell Buletini Ekonomik.
Lubishtani dorëheqjen e parevokueshme e ka ofruar ditën e hënë.
“Po nga dita e hënë nuk jam më anëtar bordi. Kam dhënë dorëheqje për arsye personale”, ka thënë Lubishtani në një prononcim për Buletinin Ekonomik, por pa dashur të lëshohet në detaje lidhur me arsyet e këtij vendimi.
Lubishtani ishte emëruar anëtar bordi me vendim të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliut. Ai vinte nga shoqëria civile.
“Qëllimi i inkuadrimit në Bordin e Qendrës ka qenë me iu ndihmu të rinjve meqë ketë e kam bërë edhe si anëtar i shoqërisë civile. Për një vit sa kam qenë anëtar bordi nuk jemi kompensuar. Pra kemi punuar vullnetarisht”, ka thënë ai.
Dorëheqja e tij vjen jo shumë kohë pas një hulumtimi nga Buletini Ekonomik lidhur me parregullsit që e kishin përcjell hapjen e kësaj qendre.
Projekti gati gjysmë milionësh për hapjen e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj ka më shumë se një vit që po zvarritet, ani pse janë blerë pajisjet dhe objekti është gati. Deri në këtë fazë, buxheti i shtetit është dëmtuar rreth 30 mijë euro nga pakujdesia e dy institucioneve përgjegjëse – Ministrisë së Inovacionit dhe Komunës së Ferizajt.
Meremetimi i objektit është kryer dhe janë blerë pajisjet teknologjike, por asnjëra nga institucionet përgjegjëse – Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komuna e Ferizajt – nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se pse ende nuk po fillon puna.
Vendimi për hapjen e kësaj qendre është marrë në maj të vitit 2018 dhe ekziston edhe një bord prej pesë anëtarëve.
Por deri në këtë fazë, përveç vonesave për hapjen e qendrës, projekti është përcjellë më shumë parregullsi, të konstatuara edhe nga Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për vitin 2018.
Rreth 30 mijë euro është dëmtuar buxheti i shtetit nga kompanitë e kontraktuara nga komuna e Ferizajt, të cilat nuk i kishin kryer të gjitha punët siç parashihej me projekt.
Sipas Auditorit, deri te kjo erdhi pas dështimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Komunës së Ferizajt, që ta menaxhonin projektin në mënyrën e duhur. E para ishte e obliguar që të caktonte një zyrtar përgjegjës për mbikëqyrjen e projektit, kurse e dyta që t’i raportonte çdo dy javë ministrisë për ecurinë e projektit.
Ndryshe, financimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për hapjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj ka qenë në vlerë prej 373,231.40 euro, financim ky i bërë duke u bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komunës së Ferizajt.
Ideja e themelimit të kësaj qendre është që të rinjtë ferizajas të kenë mundësi që idetë e tyre që kanë kosto financiare dhe që nuk mund t’i zhvillojnë vet, t’i realizojnë në këtë qendër.
Deri më tani, kjo mundësi atyre u është mohuar, përkundër faktit se janë blerë pajisjet dhe është kryer meremetimi i objektit. /Buletini Ekonomik/