Rrezikohen shërbimet e Telekomit

Krejt papritur kosovarët mund të zgjohen pa mundur të thërrasin apo kyçen në internet përmes telefonisë mobile Vala.

Të gjitha shërbimet e këtij operatori janë në rrezik. Së paku kështu e ka parë gjendjen auditori i përgjithshëm në Telekomin e Kosovës para se të shkëputej kontrata me Z-mobile, e cila vlerësohej si arsyeja kryesore e shkatërrimit të ndërmarrjes dikur më profitabile në vend.

Në raportin e fundit për këtë ndërmarrje, të publikuar në muajin qershor, të cilin e posedon Gazeta inFokus, auditori ka gjetur se instalimet në rrjetin e telefonisë mobile të Telekomit të Kosovës për herë të fundit janë bërë para katër vitesh. Që atëherë “kjo gjendje në mënyrë progresive ka ardhur duke u keqësuar si rezultat i daljes nga garancioni i pajisjeve, konsumi i pjesëve rezervë në stok si dhe amortizimi i pajisjeve”.

Reklama e sponzorizuar

Për shumicën e platformave dhe sistemeve cilat mundësojnë ofrimin e shërbimeve telekomunikuese mirëmbajtja kryhet vetëm nga stafi teknik i Telekomit, shkruan gazeta inFokus.

“Për shumicën e sistemeve (rrjeti fiks, mobil, IPTV dhe ISP) nuk ka kontrata aktive të mirëmbajtjes/përkrahjes teknike nga prodhuesi”, thuhet në raport.

Si rezultat i gjendjes aktuale dhe mungesës së investimeve dhe kontratave të mirëmbajtjes, në këtë raport parashihet rreziku për ndërprerje të plotë të të gjitha shërbimeve që afekton të gjithë konsumatorët në rrjet (Vala, Operatori mobil virtual, Romer); Ndërprerje e pjesshme e shërbimit në zona të caktuara të mbulimit; Kohëzgjatje e madhe e zgjidhjes së problemit/defektit; Pamundësi e neutralizimit të problemit; dhe pamundësi e riparimit të pajisjeve me defekt.

Edhe më shumë e vështirëson situatën mos gjetja e një zgjidhje për pagesë të borxhit prej 26 milionë euro që Telekomi ka ndaj Operatorit Virtual Z-Mobile.

Pas dështimit të negociatave lidhur me kushtet e vazhdimit të bashkëpunimit komercial mes Telekomit dhe Z-Mobile, të martën menaxhmenti i Telekomit ka marrë vendim t’ia ndërpresë marrëveshjen kompanisë së udhëhequr nga Blerim Devolli.

Kjo tashmë i ka hapur rrugë inicimi i ekzekutimit me përmbarim të vendimit final të arbitrazhit, i cili do të përfundojë me bllokim total të korporatës, shkruan gazeta inFokus..

“Në një situatë të tillë, nëse kreditori ORMV fillon procedurat e përmbarimit, ekziston pasiguri materiale që mundë të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e Telekomit të Kosovës Sh.a për të vazhduar aktivitetet sipas parimit të vijimësisë”, thuhet në raportin e auditorit.

Ajo që është shprehur në këtë raport është se “inicimi i ekzekutimit me përmbarim të vendimit final të arbitrazhit dhe ekzekutimi me përmbarim do të përfundojë sigurisht me bllokim total të korporatës”.

Aktualisht Telekomi është duke vazhduar trendin e operimit me humbje që nga viti 2015 kur humbja totale që i atribuohet pronarëve/aksionarit në Pasqyrën e të ardhurave (PA) ishte 7.9 milionë euro. Në vitin 2016 humbja ishte 51 milionë euro, në vitin 2017 humbja ishte 14 milionë euro, dhe në vitin 2018 humbja e paraqitur në Pasqyrën e Fitimit ose Humbjes për Periudhën ishte 15.5 milionë euro./Gazeta inFokus/