Sekretari në Ministrinë e Inovacionit në konflikt interesi

Agjencia Antikorrupsion ka nxjerr vendim, se Hajriz Koca, i emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Inovacionit është në konflikt interesi për këtë pozitë.

Siç thuhet në pikën e parë të këtij vendimi, kjo “për shkak se deri para se të zgjidhej dhe emërohet në këtë pozitë i njëjti ishte Këshilltar politik i Ministrit të po kësaj Ministrie”.

“Kjo situatë bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit e funksionit politik”, thuhet më tej në këtë pikë të vendimit.

Reklama e sponzorizuar

“Agjencia do të kërkojë nga institucioni ku zyrtari i lartë ushtron funksionin që të fillojë procedurat për shkarkimin e tij”, thuhet në pikën e dytë të vendimit.

Kujtojmë se disa muaj pas emërimit e disa javë pas raportimit në KTV, Agjencia Kundër Korrupsionit është mobilizuar për ta hetuar Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Inovacionit, Hajriz Koca.

Kjo Agjenci ia ka konfirmuar KTV-së se ka nisur letërkëmbimet me Kocën, për ta parë mundësinë e konfliktit të interesit.

Para se të emërohej në këtë pozitë në fund të vitit të kaluar, Koca ka qenë këshilltar politik i ish-ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, neni 18, përcakton kufizimet kohore ndërmjet emërimeve të tilla të zyrtarëve.

Hajriz Koca, që ka lidhje familjare me Sami Lushtakun, ka qenë drejtor e zëdhënës i Komunës së Skenderajt, në kohën sa komuna udhëhiqej nga njeriu i PDK-së.