Kanë përfunduar pa sukses negociatat gjashtëmujore të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Z-Mobile” për vazhdimin e partneritetit, që mes shumë polemikave, akuzave dhe proceseve hetimore e gjyqësore ka zgjatur 10 vjet. Drejtuesit e Telekomit kanë njoftuar, të martën, se kontrata me “Z-Mobile” është shkëputur.
Ishte ndërmarrja publike që ka insistuar që të vazhdohet bashkëpunimi mes tyre. Këtë e dëshmon letra e Telekomit dorëzuar “Z-Mobiles”, ku në drejtim të kësaj të dytës janë bërë 20 oferta, por që janë refuzuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Z-Mobile” në përgjigjen e saj ka propozuar ofertën që fitimi për të, të jetë 67 për qind, e për Telekomin 33 për qind, por që është refuzuar nga ndërmarrja shtetërore. Po ashtu, ka kërkuar qasje në raportin financiar të përgatitur nga kompania “Mazars”.
“Insistimi i Dardafonit për ta pasur raportin financiar të Telekomit të përgatitur nga ‘Mazars’ është i pakuptimtë dhe i paarsyeshëm, sepse është e drejtë legjitime e secilës palë afariste që për nevojat e veta të kërkojë ekspertizën e jashtme profesionale; Ekspertiza ‘Mazars’ ishte e porositur vetëm nga Telekomi, andaj nuk kishte asnjë detyrim që tërë ekspertizën t’ia ofrojë në dispozicion as Dardafonit dhe as kujtdo tjetër”, thuhet mes të tjerash në letër.