Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit me iniciale F.V. nga fshati Zhur, Komuna e Prizrenit, për shkak të veprës penale “vjedhje e rëndë”.
I akuzuari me iniciale F.V. për veprën penale si në dispozitivin e kësaj aktakuze, gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, i cili paraburgim do të vazhdoj deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
“Gjykata krahas dënimit kryesor i shqipton edhe dënimin plotësues dhe atë marrjen – konfiskimin e një kaçavide, si dhe lejen e qarkullimit të veturës, të markës “Mercedes – Benz” dhe çelësin e veturës, si dhe dënimin me gjobë në shumën prej 1.000 euro”, thuhet në njoftim.
“Me datë 17.07.2019 rreth orës 03.55 minuta, në autostradën Ibrahim Rugova në pjesën jugore në afërsi të fshatit Vlashnje, Komuna e Prizrenit, i akuzuari me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj për vete, e në dëm të pasurisë së pronës publike të cilën e mirëmban firma “Famis-CO” në Suharekë, në atë mënyrë që duke i shfrytëzuar orët e hershme të mëngjesit dhe momentit të përshtatshëm kur nuk e vëren askush, duke vendosur shenjën e trekëndëshit kinse makina ka defekt, i njëjti me përdorim të forcës fizike dhe me anë të një kaçavide arrin t’i nxjerr respektivisht t’i merr rreth 149 pjesë anësore (distancer-përforcues), të cilat i ngarkon në automjetin e tij të kombi të markës “Mercedez-Benz”, i cili zihet në flagrancë nga ana e policisë si pasojë e së cilës të dëmtuarit i shkakton dëm të konsiderueshëm material”, përfundon njoftimi.