Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka reaguar edhe njëherë kundër Naser Shalës i njohur me nofkën “Ftyra”, shkruan Gazeta Insajderi.
Kosnett përmes Twitter ka shkruar se kreu i pakualifikuar i kësaj agjencie Naser Shala, mbetet në detyrën e drejtorit të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, duke e zvogëluar kështu besimin e qytetarëve për zgjedhjen në bazë të kriterit të meritës.
“Rrugë e duhur për të gjithë të emëruarit e pakualifikuar është dorëheqja. Është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t’i japur fund korrupsionit dhe kronizmit”, ka shkruar Kosnett.
Naser Shala i njohur me nofkën “Ftyra”, muaj më parë ishte rehatur në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Krahahim dhe Verifikim të Pronës.
Ambasadori amerikan ishte shprehur i shqetësuar kur Shala ishte emëruar drejtor i kësaj pozite ndërsa ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’connell, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të AKKVP-së.
Naser Shala “Ftyra”, kishte qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Shala ishte akuzuar se kishte prerë me kosë të burgosur serbë të luftës.
Tutje, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.
Ndërkaq, Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht më 24.05.2017 kishte vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.
Por emri i Shalës ishte përfshirë edhe në një rast tjetër. Emri i tij ishte përdorur nga Adem Grabovci për ta frikësuar atë kohë, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin.
Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.
Insajderi kishte publikuar hulumtimin “Dosja e Shefave” ku aty ishte dëshmuar komunikimi mes Grabovcit dhe ‘Ftyrës”, pavarësisht se drejtori i ri për Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, kishte qenë në paraburgim.
“Paj, mirë bre Naser vallahin, ngarkesë kom pas bukur shumë, gati thuajse veç vetun pata metë… Ti, pe din kto, kto nërskamcat që janë, e kto farë…”, i ankohej Grabovci, Shalës në dhjetor të vitit 2011.
“Besoj që i kom kalu, po thom a din pa hiç kshtu, i kom kalu mirë. I kisha n’përkrahje, kta që duhet m’i pas, e për tjertë s’u mërzitsha”, vazhdonte Grabovci.
Në bisedë telefonike, ish-shefi i PDK-së në Kuvend të Kosovës, i tregonte ‘fytyrës’ se me emrin e tij ia kishte përmendur Jakup Krasniqit. Sipas Grabovcit më pas, Krasniqi ishte dorëzuar.
“Jakupit, veç shkova i thash n’vesh, thash qy thash e thirri, e thirri ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”, tregonte Grabovci. “Edhe u dorëzu”.
“A t’ngoj bile”, e pyet Shala.
“Ngoji, meniherë, meniherë u tërhoq, derisa t’përmena ty”, thoshte Grabovci.