BE ka dështuar në europianizimin e Ballkanit

Në një botim të ri mbi politikën e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit, të shkruar nga Vladimir Djordjevic dhe Vladimir Vuckovic, thuhet se fuqia transformuese e BE-së ndaj Ballkanit është e paprovuar si në teori, edhe në praktikë, shkruan BIRN.

Z. Djordjevic dhe z. Vuckovic shprehen se kur vendosën të publikojnë një pjesë të redaktuar të këtij botimi në Ballkanin Perëndimor dhe ta paraqisnin atë në Peter Lang Publishing në fillim të vitit 2017, synimi kryesor ishte që të krijonin një vëllim që do të ngjallte diskutime mbi procesin e europianizimit të Rajonit të Ballkanit dhe progresin e bërë në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe marrëdhënieve rajonale.

Dy autorët e botimit shprehen se u përqendruan kryesisht në dy prej reformave të mësipërme, pasi ato janë shumë të rëndësishme për pranimin e vendeve të Rajonit të Ballkanit në BE. Ata janë shprehur gjithashtu se kanë qenë dhe janë të bindur se europianizimi i rajonit ka qenë një dështim dhe se Ballkani Perëndimor jo vetëm që është rrënuar nga korrupsioni sistematik, por edhe se marrëdhëniet rajonale mbeten të brishta. Ata donin të krijonin një botim që do të përfshinte teorinë e europianizimit, duke theksuar dobësitë dhe kufizimet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim.

Reklama e sponzorizuar

Të frymëzuar edhe nga një numër autorësh të tjerë, kritikat e të cilëve mbi procesin e europianizimit të rajonit ishin të konsiderueshme, z. Djordjevic dhe z. Vuckovic arritën të krijonin një ekip të përbërë, si nga akademikë ashtu edhe nga praktikantë, ekspertiza dhe përvoja e të cilëve i ndihmuan ata që të hartojnë dhe të publikojë një botim të plotë. Por vëllimi është përqendruar vetëm në hapësirën post-sovjetike dhe nuk ka përfshirë Shqipërinë, edhe pse kjo e fundit është pjesë e këtij rajoni.

Autorët e këtij botimi donin, mbi të gjitha, të ofronin një analizë gjithëpërfshirëse empirike, e cila mund t’u shërbente të gjithë akademikëve apo edhe praktikantëve të interesuar mbi këtë çështje.
Botimi, i cili doli në maj të këtij viti, përveçse diskuton dy prej pikave të lartpërmendura, të rëndësishme për pranimin e vendeve të rajonit në BE, thekson se korrupsioni sistematik kërcënon stabilitetin dhe integritetin e institucioneve shtetërore dhe besimin e qytetarëve tek ato dhe se marrëdhëniet rajonale, duke qenë të brishta, bien vazhdimisht pre e diskutimeve nacionaliste që politikanët i përdorin herë pas here në shërbim të qëllimeve të përkohshme të politikës së tyre.

Duke qenë se liritë e medias po kufizohen në këtë rajon, elitat politike vendase po dështojnë në dhënien e shembullit të duhur, i cili do të ndikonte dhe do t’i ndihmonte në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Në këtë botim është diskutuar me detaje se përse europianizimi i Ballkanit Perëndimor ka dështuar deri më tani.

Duke analizuar situatën në të gjitha republikat post-jugosllave, theksohet paaftësia dhe mosgatishmëria e elitave politike për të luftuar me të vërtetë korrupsionin në rajon, shpesh i ndikuar nga aktorë të ndryshëm vendas, interesat e të cilëve do të rrezikoheshin nëse ata do të vepronin ndryshe.
Këta aktorë kanë ndikim në strukturat politike, duke filluar nga manjatët, rrjetet e krimit të organizuar, ish-zyrtarë të policisë, ushtrisë dhe forcave të sigurisë. Janë pikërisht këta që pengojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe, mbi të gjitha, progresin e këtyre vendeve të rajonit drejt BE-së, shprehet

Teksa elitat politike vendase besojnë se BE-ja nuk po vepron ashtu siç duhet, si në drejtim të luftës kundër korrupsionit ashtu edhe në shumë aspekte të tranzicionit demokratik, ndikimi i BE-së në rajon fatkeqësisht vazhdon të sjellë kryesisht ndryshime formale, ndryshime strukturore të kufizuara dhe sipërfaqësore. Prandaj, dëshmitë e reformave të brendshme reale janë shumë të pakta, sepse elitat politike brenda vendit vazhdojnë ta mbështesin vetëm në teori dhe jo në praktikë procesin e integrimit në BE dhe madje janë të lumtur që mund të shihen si reformistë. Kjo është arsyeja se përse një prej pikave në përfundim të këtij botimi, sipas Arolda Elbasanit, e cila ka shkruar disa prej përfundimeve të botimit, është se fuqia transformuese e BE-së në rajon është e paprovuar në teori dhe e vakët në praktikë.

Sa i takon çështjes së marrëdhënieve rajonale, situata nuk është edhe aq e zymtë në krahasim me atë të luftës kundër korrupsionit. Në këtë drejtim, BE-ja ka ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor të ndërtojnë marrëdhënie më gjithëpërfshirëse dhe të krijojnë kanale të bashkëpunimit të ndërsjellë. Pavarësisht suksesit në këtë drejtim, rajoni ndikohet nga çështjet nacionaliste të së kaluarës.
Duket se edhe në këtë drejtim, BE-ja nuk ka zgjedhur rrugën e duhur të veprimit: edhe pse elitat politike vendase përpiqen shumë për të ruajtur stabilitetin e vendeve të rajonit, herë pas here, nxjerrin në pah logjikën e tyre nacionaliste. Kjo është një formë për t’i treguar votuesve se ata mbeten ende patriotë.

Edhe pse kalime të tilla në të kaluarën nacionaliste nuk janë asgjë më shumë se gabime të përkohshme, gjithsesi ato kanë arritur që të krijojnë tensione në rajon. Prandaj duket e vështirë të besohet (sidomos nga BE) që politikanët vendas jodemokratikë dhe gjithnjë e më shumë autoritarë, axhendat e të cilëve janë midis të kaluarës nacionaliste dhe së ardhmes së supozuar europiane, mund të arrijnë që të drejtojnë me sukses vendet e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Vladimir Vuckovic është profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin Masaryk në Brno të Republikës Çeke. Vladimir Djordjevic është profesor asistent në Fakultetin e Zhvillimit Rajonal dhe Studimeve Ndërkombëtare, në Universiteti Mendel në Brno të Republikës Çeke.