Buletini Ekonomik sot shkroi se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë tashmë hapa konkret për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve. Po planifikohet që të gjitha dëmet e mbetura nga kompania e falimentuar “Insig”, t’i paguajnë qytetarët e Kosovës përmes rritjes së çmimit të sigurimit të automjeteve. Kjo është njëra nga pikat përmes të cilës kompanitë e sigurimeve po e arsyetojnë rritjen e çmimit prej 30 për qind të sigurimit të automjeteve, bazuar në disa dokumente të siguruara nga Buletini Ekonomik.
Pas publikimit të këtij shkrimi, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) kanë dhënë sqarimet e tyre përkitazi me këto pretendime. Ata në përgjigjet e tyre kanë lënë të kuptohet se një rishikim i tarifave për sigurimin e veturave mund të ndodhë.
“Në të njëjtën kohë, ju informojmë se deri më tani nuk ka ndonjë ndryshim të tarifave të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjejgësia. Në momentin e rishikimit të tyre, BQK-ja do të informoj publikun me kohë”, ka thënë zyrtarja për informim në BQK, Ajshe Ramosaj Ahmetaj.
Ajo ka përshkruar procesin se si mund të vijë deri tek ndryshimi i tarifave.
“Sikurse është e përcaktuar me legjislacionin në fuqi, siguruesit duhet të dorëzojnë për aprovim në BQK së paku 60 ditë para zbatimit kushtet e sigurimit si dhe bazën teknike të përdorur për llogaritjen e primit si dhe kur BQK-ja konstaton se kushtet e sigurimit dhe baza teknike janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore si dhe dhe parimet e aktuaristikës, në afatin prej 30 ditësh e njofton siguruesin për zbatimit e tyre”, ka thënë Ramosaj-Ahmetaj.
Ndryshe Buletini Ekonomik sot shkroi se tashmë ekziston edhe një plan për ndryshimin e tarifave për sigurimin e veturave mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe kompanive të sigurimeve.
Sipas dokumenteve të siguaruara nga Buletini Ekonomik, tashmë është caktuar edhe personi që do ta argumentojë para Bankës Qendrore të Kosovës, se pse rritja e çmimit të sigurimit të automjeteve është e nevojshme. Bëhet fjalë për Shefik Gërbovcin, emri i të cilit figuron si “aktuar i certifikuar nga BQK”.
Gërbovci është aktuar i certifikuar dhe është angazhuar për kryerjen e vlerësimeve aktuariale për llogaritjet e ndryshimit të primit të sigurimit për produktin e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia – TPL. Si arsye për rritjen e çmimeve në treg, në dokumentacionin e siguruar përmendet kompania e falimentuar “Insig”. /Buletini Ekonomik/