Evazioni fiskal, bizneset sezonale verore i ikin tatimit

Sektori i hotelerisë në Kosovë gjatë sezonit të kësaj vere është në fokus të inspektimit nga Administrata Tatimore e Kosovës, pasi që sipas zyrtarëve të ATK-së ky sektor paraqet potencial të madh për shmangie nga tatimi.

Vetëm gjatë një aksioni dyditor pas orarit të punës dhe vikendit, ATK ka ndëshkuar 30 subjekte afariste në Kosovë.

Bizneset e ndëshkuara sipas zyrtarëve të ATK-së nuk kanë qenë të pajisura me arka fiskale apo kanë pasur arka fiskale, por nuk kanë lëshuar kuponë fiskal.

Reklama e sponzorizuar

Valentina Bytyçi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij aksioni janë inspektuar 46 subjekte afariste shumica prej tyre në sektorin e hotelerisë.

“ATK bazuar në planet vjetore dhe operative në sezonin e verës zhvillon aktivitete operacionale, përmes së cilit tentojmë të jemi më afër atyre që kanë aktivitete të shtuara në këtë periudhë, si tek sektori i hotelerisë, ashtu edhe te estrada, por edhe te pishinat, që për ne paraqesin një potencial për të shmangur tatimet. Nga 10 salla të dasmave të vizituara, 8 prej tyre janë ndëshkuar, nga tre motele të inspektuara nga ATK të tretë janë ndëshkuar, kafiteri dhe restaurante janë vizituar 33 dhe janë ndëshkuar 19”, thekson Bytyçi-Sefa.

Vizitat e inspektoratit të ATK-së, shton ajo, janë zhvilluar gjatë aktiviteteve kur i kanë zhvilluar këto subjekte afariste dhe sipas saj, inspektorët kanë vërejtur që pas çdo shërbimi që u kanë ofruar klientëve nuk janë lëshuar kuponë fiskalë.

Për dëmet që i janë shkaktuar shtetit të Kosovës nga këto biznese që i janë shmangur tatimeve, Sefa-Bytyçi thotë se do të raportohet në shtator pas përfundimit të të gjitha aksioneve që merren gjatë sezonit të verës.

Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se në mungesë të fiskalizimit të të gjithave bizneseve të cilat obligohen me ligj të kenë arka fiskale, në treg është krijuar konkurrencë e padrejtë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se në veçanti në aktivitete sezonale shumë nga subjektet afariste i ikin tatimeve shtetërore.

“Një e treta e ekonomisë së Kosovës vuan nga pabarazia dhe informaliteti në vend dhe kjo krijon humbje të mëdha edhe për buxhetin e shtetit edhe për bizneset formale. Raportet ndërkombëtare të cilat tregojnë se ekonomia informale është 30 për qind aty hynë edhe bizneset që kanë arka fiskale dhe nuk lëshojnë kuponë fiskalë, apo nuk kanë fare arka fiskale. Një inspektim më i madh nga ATK-ja do të ndihmon uljen e informalitetit në vend”, thotë Shahini.