Pavarësisht përvojës së punës, Blerta Xhinovci, njëra prej vajzave të ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, është angazhuar si praktikante në KOSTT.
Pozita e saj mban titullin Praktikant – Zyrtar për Publikim dhe Media Sociale dhe angazhimi i saj kishte filluar nga 1 tetori i vitit 2018.
Procesin e rekrutimit të saj, KOSTT-i, në një përgjigje për KTV-në, e ka konsideruar krejtësisht të rregullt dhe konform Ligjit të Punës dhe një udhëzimi administrativ që rregullon procedurat e konkursit në Sektorin Publik.
“Është punësuar me datën 01 tetor 2018, përmes konkursit të hapur publik të datës 25 Korrik 2018, si Praktikant Zyrtar për Publikim dhe Media Sociale për një periudhë njëvjeçare deri më 30 shtator 2019, sipas procesit të rregullt të punësimit, konform Ligjit të Punës dhe Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik nr.07/2017”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Komunikim dhe Relacione me Publik – KOSTT.
Por, Inspektorati i Punës kishte kërkuar anulimin e këtij konkursi, të shpallur më 25 korrik të vitit të kaluar.
Shkak për këtë ishte fakti që shumica e të pranuarve në këto pozita si praktikantë kishin përvojë pune, por në rastin e Xhinovcit, ishte konstatuar se ajo kishte përvojë hiç më pak se 3 vjet e 5 muaj.
Përveç disa shkeljeve të evidentuara, mes tjerash edhe shkelje të Ligjit të Punës dhe aplikim të standardeve të dyfishta në konkurs, KOSTT-it i ishte bërë e qartë që praktikantëve, në fund të periudhës 1-vjeçare, nuk do të mund t’u ofronte kontrata punësimi.
Me konkurs të hapur nga korriku i vitit 2017, Veronika Ahmetaj është punësuar si Zyrtare për Çështje Rregullative.
Ahmetaj është e martuar me Veton Thaçin, djali i njërit prej vëllezërve të presidentit Hashim Thaçi, për të cilin KTV-ja raportoi ditë më parë se ishte i punësuar në KEK.
Në përgjigjen e kthyer nga Zyra për Media e KOSTT, është theksuar se ajo ishte e punësuar në kohën sa kryeshef ka qenë Mustafë Hasani, i shkarkuar muaj më vonë jashtëligjshëm nga bordi i KOSTT-it.
“Veronika Ahmetaj është punësuar në kohën sa ka qenë kryeshef ekzekutiv Mustafë Hasani, përmes konkursit të hapur publik të datës 12 korrik 2017, dhe mban pozitën Zyrtar për Çështje Rregullative”.
KTV-ja, përveç për punësimin e familjarëve të zyrtarëve të PDK-së, ditë më parë raportoi se si bordi i KOSTT-it, pas shkarkimit të kundërligjshëm të Hasanit, e kishte zgjedhur për kryeshef Ilir Shalën, vendim që Inspektorati i Punës e konsideron të pavlefshëm juridikisht.