Konzorciumi “Bechtel-Enka”, i vetmi me ofertë për Korridorin Morava

Të vetmen ofertë në ftesën publike për partner strategjik për ndërtimin e Korridorit Morava, e ka paraqitur konsorciumi “Bechtel-Enka”. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Ndërtimeve, Komunikacionit dhe Infrastrukturës e Serbisë.

Grupi punues për zgjedhjen e partnerit strategjik për realizimin e projektit për Korridorin Morava (auto-rruga nga Preline deri në Pojatë), nën udhëheqjen e nënkryetares së Qeverisë, Zorana Mihajloviq, të martën ka hapur ofertat, raporton televizioni publik serb.

Pas verifikimit të kushteve dhe kritereve, Grupi punues do ta hartojë raportin, i cili do t`i dorëzohet Qeverisë së Serbisë, e cila do ta marrë vendimin për përzgjedhjen e partnerit strategjik për ndërtimin e Korridorit Morava.

Reklama e sponzorizuar

Ky Korridor do të jetë i gjatë 112 kilometra me 84 ura dhe do ta lidhë Korridorin 10 me auto rrugën “Milloshi i Madh” dhe disa lokacione të tjera në të cilat jetojnë afërsisht gjysmë milioni banorë, e ku përfshihen: Çacaku, Kraleva, Vrnjaqka Banja, Trsteniku, Krushevci, Stalaqi dhe Qicevaci.

Përveç ndërtimit të auto rrugës, projekti përfshinë edhe rregullimin e lumit Morava Perëndimore dhe degëve të saj, sikurse edhe nyjave të telekomunikacionit dhe infrastrukturës.

Vjet autoritetet serbe kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me konsorciumin amerikano-turk, me të cilin parashihet ndërtimi i Korridorit Morava në vlerë prej 800 milion euro.

Ndryshe, edhe autoritetet kosovare dy herë radhazi ia kanë besuar ndërtimin e autostradave kësaj kompanie.

Autostrada Prishtinë-Morinë ka kushtuar 830 milionë euro. Ajo “Arbnë Xhaferi”, 650 milionë euro, duke mos llogaritur këto shpenzimet për shpronësime.

Në të dy rastet autoritetet kosovare kanë mbajtur në fshehtësi kontratat e nënshkruara me këtë Konsorcium, teksa partitë që kanë drejtuar qeveritë janë kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile për shpenzime enormen ndërtimin e këtyre rrugëve.