Kuvendi i ka kërkuar ARKEP-it që sa më shpejt të vendosë rreth numrave të “Z-Mobile”

Gati një muaj prejse është shkëputur kontrata mes Telekomit dhe “Z-Mobile-it”, Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) ende nuk ka vendosur se çfarë do të ndodhë me 300 mijë numrat që i ka pasur në dispozicion “Z-Mobile”.

Mosmarrja e vendimit, sipas ish-anëtarëve të Komisionit parlamentar që hetoi zhvillimet në Postë-Telekom është duke u neglizhuar qëllimshëm nga ARKEP-i. Një ditë para shpërndarjes së Kuvendit, Komisioni ka marrë vendim që t`ia dërgojë një shkresë ARKEP-it lidhur me këtë çështje, shkruan sot Koha Ditore.

Letra, siç është informuar “Koha Ditore”, është dërguar brenda ditës së premte (dje).

Reklama e sponzorizuar

“Kërkohet nga ARKEP-i që në afatin sa më të shpejtë, konform dispozitave ligjore në fuqi, të marrë vendimin në lidhje me numeracionin e telefonisë mobile e njohur si “Z Mobile”’, thuhet në letër, një kopje të së cilës e posedon gazeta.

Akuzat për neglizhencë janë mohuar nga zyrtarë të ARKEP-it. Ata kanë thënë se këtë çështje janë duke e trajtuar me prioritet.

Fillimisht, Zyra për Informim e këtij institucioni ka deklaruar se nuk kanë pranuar ndonjë letër nga Komisioni deri më tani.