Lansimi i dokumentit që parasheh rritje të përfituesve të skemës sociale shihet si veprim elektoral i Reçicës

Lansimi në konsultim publik i koncept-dokumentit për skemën e ndihmës sociale, me të cilin, sipas ministrit në largim të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, numri i familjeve përfituese do të rritet për 2 mijë familje, po shihet si veprim elektoral nga pjesëtarë të shoqërisë civile.

Veprime të tilla të ngjashme, sipas OJQ-ve, kanë bërë edhe zyrtarë të qeverive të kaluara, kur në prag të zgjedhjeve kanë promovuar ide e propozime elektorale, shkruan sot Koha Ditore.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka thënë se të gjitha dokumentet e Qeverisë në largim kthehen në pikën zero me rastin e formimit të Qeverisë së re.

Reklama e sponzorizuar

“Kur krijohet Qeveria e re, ai proces kthehet në zero. Kjo më shumë mund të kuptohet si ide për konsum publik, për t’u përdorur në fushatë edhe potencialisht për të tërhequr votues për vete. Kjo është tendenca kryesore që po vërehet”, është shprehur Demhasaj.

Sipas tij, lansimi i këtij dokumenti ka mundur të bëhet më herët.