Mbetjet e azbestit vazhdojnë të jenë të pranishme ende nëpër shumë komuna të vendit

Pos që është i rrethuar nga pluhuri që del nga fabrika e çimentos Sharrcem, komuna e Hanit të Elezit përballet edhe me një tjetër ndotës.

Shumë kulme të shtëpive janë të mbuluara me material të azbestit, i cili konsiderohet kancerogjen.

Por, edhe lumi Lepenc është i mbushur me mbetje të tilla, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtarë të komunës thonë se kanë kërkuar shumë herë nga Qeveria që t’u bëhet një zgjidhje për këtë problem, megjithatë, asnjëherë nuk është ndërmarrë diçka konkrete.

Emri Rexhallari, një ish-punëtor i cili për shumë vjet punoi në fabrikën e asbestit “Salonit” në këtë komunë, thotë se shumë punëtorë janë diagnostikuar me asbestozë.

Megjithatë, Ministria e Mjedisit në vitin 2013, kishte angazhuar një kompani për pastrimin e lumit Lepenc nga këto mbetje, por projekti prej 1.2 milion eurosh kishte dështuar, meqë kompania nuk e kishte kryer punën siç duhet dhe lënda është në gjykatë.

Tash, kjo ministri pritet të ndajë edhe 650 mijë euro për eliminimin e këtyre mbetjeve.

“Në këtë linjë, për të pasur një pasqyrë me reale rreth vendeve ku gjenden sasi të azbestit dhe në çfarë mase në këtë vit, do të fillojmë me projektin e studimit për gjendjen e ndotjes nga asbesti, projekt ky i cili tani është në procedurë të tenderimit”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie.

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit thonë se pas përfundimit të studimit, në vitet e ardhshme, do të kenë edhe projekte konkrete për ta zgjidhur këtë problem.