Edhe Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës e pat përmbyllur vitin 2018 me mbi 85 milionë euro humbje, sikurse disa institucione tjera në vend.
Sikurse në shumicën e institucioneve tjera publike e të pavarura, pagat marramendëse të zyrtarëve më të lartë të tyre kanë vazhduar edhe në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, përkundër humbjeve me të cilat kanë operuar përgjatë viteve, përcjell Buletini Ekonomik.
Drejtori menaxhues i këtij institucioni Adrian Zalli, së bashku me dy zëvendës drejtorët e tij marrin paga të majme, që për nga lartësia mund të krahasohen me pagat në shtete të zhvilluara.
Vetëm Zalli pranon të hyra vjetore nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës në vlerë të 60 mijë e 894 eurove, e që në muaj merr hiç më pak se 5 mijë e 74 euro.
Ndërkaq, zëvendës drejtori në këtë Fond Pensional, Vërshim Hatipi ka pagë mujore prej 3 mijë e 930 eurove, përderisa në vit mbizotëron të hyra në vlerë të 47 mijë e 165 eurove. Përpos kësaj page, ai po ashtu merr edhe mëditje nga i njëjti institucion ku punon, me shumën e 360 eurove në muaj.
Gjithashtu edhe Agron Krasniqi me pozitën e njëjtë sikurse Hatipi paguhet për një muaj punë me 3 mijë e 95 euro, kurse brenda një viti grumbullon gjithsej 37 mijë e 149 euro. /Buletini Ekonomik/