Ditë më parë mediet serbe kanë raportuar, se Drejtoria e Policisë Kufitare të Kosovës ka marrë vendim pa miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për të mos lejuar dhe pranuar pasaportat e Republikës së Serbisë.
Në këtë situatë qytetarëve të Serbisë u pamundësohet hyrja në Kosovë, nëse ata përdorin pasaportën e Serbisë si dokument identifikues për të udhëtuar. Ata mund të udhëtojnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim të Serbisë ashtu siç e parashikon edhe pika e tretë e Marrëveshjes së Brukselit për Lëvizje të Lirë.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, po zbatohet vetëm Marrëveshja e Brukselit për Lirinë e Lëvizjes.
“Lëvizja/ kalimi i kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është e rregulluar me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011. Policia e Kosovës ka vepruar dhe vazhdon të veprojë konform kësaj marrëveshjeje. Ne vetëm zbatojmë marrëveshjen”, thotë ai.
Ndërsa, nga zyra për media e Ministrisë së Brendshme të Kosovës thuhet se ky nuk është vendim nga qeveria. Por, vetëm po zbatohet Marrëveshja e Brukselit për Lëvizje të Lirë.
Pika e tretë e Marrëveshjes për Lëvizje të Lirë parashikon që secila palë të zbatojë një sistem, ku letërnjoftimet do të shoqërohen nga dokumente me “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër, të cilët dëshirojnë të kalojnë tranzit në një shtet të tretë.
E njëjta marrëveshje vlen që nga viti 2011 edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët duan të udhëtojnë drejt Republikës së Serbisë me pasaportat e tyre.