OJQ-të: MD-ja s’ka legjitimitet ta shtyjë përpara procesin e konkursit publik për noterët

Organizatat e shoqërisë civile, kanë reaguar kundër vazhdimit të procesit për zgjedhjen e Noterëve, sipas konkursit publik të shpallur nga Ministria e Drejtësisë (MD).

“Ne vlerësojmë rëndësinë e përmbylljes së procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të noterëve të rinj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, drejt përmirësimit të qasjes në drejtësi për qytetarët e Kosovës, por konsiderojmë se ky proces nuk mund të shtyhet përpara pas rrethanave të reja të krijuara me dorëheqjen e Kryeministrit dhe kompromitimit të këtij procesi në publik”, thuhet në reagim.

Si OSHC, ia rikujtojnë MD-së se nga data 19 korrik 2019, qeveria aktuale është në largim – pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj – dhe parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, përcaktojnë që Qeveritë në largim nuk kanë legjitimitet të marrin vendime për udhëheqjen e proceseve të rëndësishme, sikurse është rasti konkret me procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.

Reklama e sponzorizuar

“Poashtu është i papranueshëm vazhdimi i këtij procesi në kohën kur gjatë javës së ardhshme pritet të merret vendim për shpërndarjen e kuvendit. Në këtë rast, ngutia e kësaj ministrie për të finalizuar këtë proces me integritet të kontestuar në sytë e publikut dhe kandidatëve që nuk kanë kaluar është e papranueshme. Për më tepër, kjo fazë finale e procesit është duke u përcjellur me mungesë transparence që si rezultat humb legjitimitetin e procesit në tërësi. Rikujtojmë se rreth provimit të noterisë është zhvilluar një debat i gjerë publik me akuza të ndërsjella rreth mënyrës së udhëheqjes së këtij procesi dhe përzgjedhjes së kandidatëve të suksesshëm, prandaj ne – OSHC-të – vlerësojmë se ky proces është i kompromituar në publik dhe si i tillë nuk mund të vazhdojë tutje por duhet të kthehet në pikën zero. Për këtë arsye i bëjmë thirrje Prokurorit të Shtetit që hetimet lidhur me këtë proces të zhvillohen në mënyrë të pavarur, paanshme dhe efikase. Kompromitimi në publik i procesit të noterëve dhe mungesa e legjitimitetit të Qeverisë në largim për të marr vendime në interes të përgjithshëm, e zbehin besimin e publikut në këtë proces të përzgjedhjes së noterëve të rinj, të cilët duhet t’i shërbejnë qytetarit, ndërkohë që besimi i qytetarit në integritetin e këtij procesi nuk ekziston”, thuhet tutje në reagim.

Në këtë drejtim, si organizata të shoqërisë civile që monitorojnë dhe japin kontribut të vazhdueshëm në ngritjen e standardeve të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, thonë se “ftojmë Ministrinë e Drejtësisë të reflektoj mbi situatën e krijuar dhe të ri-shikoj vendimin për konkursin publik të noterëve, duke kthyer atë në pikën zero për ta vazhduar tutje një qeveri, e cila ka legjitimitet”.

Organizatat e shoqërisë civile

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Instituti Columbus

Grupi për Studime Juridike e Politike

Inciativa për Progres (INPO)

Lëvizja Fol

Instituti EPIK