Nën dyshimin për kurdisje, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ia ka anuluar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) tenderin në vlerë 680 mijë euro për “Zhvillimin e bazës së të dhënave të legalizimit dhe organizimit të trajnimeve dhe zhvillimi i sistemit kombëtar E-Lejet”.
Kjo, pasi sipas këtij institucioni, MMPH-ja ka favorizuar prodhues të caktuar, duke iu mundësuar kompanive të caktuara që ta fitojnë këtë tender, shkruan sot Koha Ditore.
Specifikat e vendosura nga autoriteti kontraktues, sipas të ashtuquajturës gjykatë e tenderëve, janë në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Prokurim Publik, i cili ka të bëjë me diskriminim apo trajtim jo të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Tenderi ishte hapur më 13 maj, megjithatë kundër specifikave teknike të vendosura në këtë tender kishte ankesa, të cilat fillimisht janë hedhur poshtë nga MMPH-ja, e më pas ankesat nga operatorët ekonomikë janë deponuar në OSHP.
Ndërkohë, MMPH-ja ka vazhduar me procedurat e tjera. Sipas procesverbalit të hapjes së tenderit, për këtë aktivitet të prokurimit janë pranuar 4 oferta tenderuese.“Infosoft Systems Sh.p.k” ka dorëzuar ofertën në vlerë 668 mijë euro, “Novus” ofertën 629 mijë euro, grupi i operatorëve ekonomikë “Storm ICT” me ofertën 648 mijë euro, si dhe “Komtel Project Enginiering”, i cili, sipas procesverbalit të hapjes, ka pasur ofertën 1.9 milionë euro. Por te ky i fundit, sipas ankesës që ka bërë aty, është bërë një gabim teknik, pasi që në dosjet që ka dërguar ka shifër tjetër, që është më e lirë sesa operatorët e tjerë.
Bazuar në këtë procesverbal, kompania me ofertën më të lirë është “Novus”, e cila është pronë e Pleurat Halilit, një nga njerëzit e afër të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.