Kritere favorizuese, por edhe diskriminuese e kufizuese, ka gjetur Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) në dy tenderë të shpallur nga Komuna e Mitrovicës, e që është planifikuar të peshojnë diku 8 milionë euro. Për pasojë, Komuna që drejtohet nga Agim Bahtiri është obliguar t’i shpallë për të tretën herë tenderët.
Vendimin e saj “gjykata e tenderëve” e ka marrë vetëm pak kohë pasi “Koha Ditore” ka raportuar për rrjedhën e turbullt që kanë marrë këto dy procese prokurimi, nëpërmjet të cilave është treguar mësymja për ta dëmtuar buxhetin e shtetit për rreth dy milionë euro.
Brenda një viti Komuna ka bërë tri përpjekje për ta shpërblyer me dy kontrata milionëshe konsorciumin e drejtuar nga kompania “Lirigzoni S”, i cili, pos ofertës së shtrenjtë, në dosje të tenderit kishte edhe dokumente false. Konsorciumi i udhëhequr nga kompania “Bajraktari” kishte ofertë për 2 milionë euro më të lirë.
Por Komuna e kishte eliminuar, duke thënë se nuk i kishte përmbushur kriteret.
Pretendimet e Komunës “gjykata e tenderëve” i ka quajtur të paqëndrueshme dhe dy herë i ka kthyer në rivlerësim aktivitetet e prokurimit. Në fund, të dyja aktivitetet janë anuluar dhe tenderi është rishpallur. Por në rishpallje janë vënë kritere të reja, pesë prej të cilave OSHP-ja i ka kualifikuar si të jashtëligjshme. /Koha.net/