Për tre muaj, regjistrohen 2 mijë e 655 biznese të reja, dominon tregtia

Vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar rreth 2 mijë e 655 ndërmarrje ekonomike, me ç’rast është vërejtur një rritje për 10.4 përqind të ndërmarrjeve të regjistruara krahasuar me tremujorin paraprak po të këtij viti, ku ishin regjistruar gjithsej 2 mijë e 404 ndërmarrje.

Në bazë të llogaritjeve të të dy tremujorëve për këtë vit, prej janarit në vendin tonë kanë dalë në  treg rreth 5 mijë e 59 ndërmarrje ekonomike, përcjell Buletini Ekonomik.  

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktivitetet ekonomike më të preferuara, që qytetarët kanë shprehur interesimin e tyre në  fusha të  ndryshme ekonomike, për këtë tremujor ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 590 ndërmarrje të regjistruara, fusha e prodhimit me 479 ndërmarrje, fusha e akomodimit dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 359 ndërmarrje, si dhe fusha e ndërtimtarisë me 247 ndërmarrje.

Reklama e sponzorizuar

Një interesim i qytetarëve është vërejtur edhe në aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, ku deri më tani janë regjistruar 236 ndërmarrje në  krahasim me vitin e kaluar.

Shumica e këtyre ndërmarrjeve të cekura më lartë, më saktësisht 1 mijë e 943 prej tyre, janë  ndërmarrje me pronarë meshkuj.

Po ashtu, edhe femrat kosovare gjatë fillimit të këtij viti e deri më tani, kanë arritur që 632 prej këtyre ndërmarrjeve, t’i regjistrojnë në emrin e tyre.  Ndërkaq, ndërmarrje me ortakëri ose aksionarë të të dy gjinive deri më tani janë regjistruar rreth 80 ndërmarrje.

Megjithatë, këto ndërmarrje në Kosovë vazhdojnë të jenë shumica ndërmarrje të vogla, pra më një  numër të vogël të punëtorëve në çdo sektor ekonomik.

Vetëm në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 553 ndërmarrje, ato me 5 deri 9 të punësuar janë 71 sosh, me 10 deri në 19 të punësuar janë 21 ndërmarrje, dhe në  kategorinë me 20 deri 249 të punësuar janë gjithsej 10 ndërmarrje të regjistruara.

Ndërkohë , në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori në vendin tonë.

Ndërkaq, sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujorë ka mbizotëruar komuna e Prishtinës me 749 ndërmarrje të regjistruara, duke pasuar me Prizrenin me 211, Ferizaji me 189, Gjilani me 156, Peja me 144, dhe Fushë Kosova 112 ndërmarrje, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Ndërkaq, veprimtaritë ekonomike nga fusha e bujqësisë, xehtarisë e furnizimit me energji elektrike janë në numër shumë të ulët në Kosovë. Kështu në  fushën e  bujqësisë , pylltarisë dhe peshkatarisë nuk ka të  regjistruar asnjë  ndërmarrje, në  fushën e xehetarisë dhe gurëthyesve vetëm 2 ndërmarrje të regjistruara, ndërsa në  sektorin e  furnizimit me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar janë  vetëm 5 ndërmarrje të regjistruara.

Gjatë këtij viti, gjithashtu ka pasur edhe disa shuarje të ndërmarrjeve e veprimtarive të ndryshme nga tregu. Sipas statistikave të Agjencisë, vetëm prej këtij fillimviti në  vendin tonë  janë shuar gjithsej 888 ndërmarrje ekonomike. /Buletini Ekonomik/

Top of Form

Bottom of Form