Komunës së Prishtinës mesditën e sotme i kanë “zënë derën” disa makina të kompanive funerale.
Ata përmes këtij veprimi kanë shprehur pakënaqësitë për një marrëveshje që po e konsiderojnë jo ligjore mes Bashkësisë Islame dhe komunës së Prishtinës.
Kompanitë funerale përmes një proteste simbolike kanë akuzuar BIK-un për monopol në kryerjen e shërbimeve të funeraleve.
Përfaqësuesi i kompanive funerale, Blerim Nreci në një konferencë për media, renditi vendimet që sipas tij janë joligjore nga ana e BIK-ut.
“Komuna e Prishtinës i ka dhënë BIK-ut hapësirë që të krijojë biznes në funeralet me të vdekurit, në shitjen e arkivoleve dhe dërrasave. Kërkoj nga komuna t’i ndalë këto. BIK vetëm me dëftesa i rimburson qytetarët, ndërsa ne paguajmë tatim dhe lëshojmë kuponë fiskalë. Për këtë, të hyrat janë 35 mijë euro në muaj për BIK-un. Është e padrejtë që një kult fetar të bëjë këtë. Ne kemi të gjitha mundësitë për të bërë këtë shërbim, me vetura me cilësitë më të larta. BIK-u ka monopol në gjithë Kosovën për këtë shërbim”, tha ai.
Ai po ashtu, bëri të ditur se ka dy vjet që nuk e kryejnë këtë shërbim në kryeqytet, por vetëm në qytetet regjionale, raporton kp.
Ndërkaq, tha se në gjithë këtë periudhë vetëm një herë janë takuar me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili sipas tij nuk ka dhënë asnjë premtim për përmirësim të situatës.
Kompanitë funerale gjatë ditës pritet të protestojnë edhe para objektit të BIK-ut dhe MTI-së.
Ndërsa, momentalisht janë duke pritur për ndonjë takim me zyrtarë komunalë.