Punëtorët e Aeroportit paralajmërojnë grevë nëse nuk iu plotësohen kërkesat

Shoqata Sindikale e Pavarur e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka paralajmëruar që protestën e thirrur për datën 8 gusht do ta shndërrojnë në grevë, nëse kërkesat e tyre për përmirësim të kushteve të punës nuk merren parasysh nga ana e menaxhmentit të kompanisë “Limak”.

Në një konferencë për media të mbajtur të martën, ata kanë kërkuar që të kompensohen dhe të marrin beneficione për rrezikshmërinë në punë, të eliminohen dallimet në paga për punëtorë që kryejnë të njëjtat punë, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas Ligjit të Punës, si dhe pagesën e shujtës, shkruan sot Koha Ditore.

Tri prej këtyre kërkesave janë të parapara me Ligjin e Punës, i cili është në fuqi, ndërkohë që dy kërkesat e tjera, ajo e shujtës, si dhe pagesa e përvojës së punës kanë qenë pjesë e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ka skaduar në fillim të vitit 2018, dhe ende nuk është nënshkruar një marrëveshje e re.

Reklama e sponzorizuar

Sipas avokatit të Sindikatës, Tomë Gashi, këto kërkesa janë legjitime. Ai ka thënë se punëtorët nuk po kërkojnë asgjë tjetër përveç të drejtave që i kanë pasur para se Aeroporti t’i jepej me koncesion kompanisë turke “Limak”. Ndërkohë që në një përgjigje dhënë gazetës, zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, ka thënë se kërkesat e Sindikatës janë në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Në konferencën e së martës, kryetari i Shoqatës Sindikale të Pavarur të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi, ka thënë se si pasojë e kushteve jo të mira të punës, çdo vit në Aeroport punën e lënë rreth 100 punëtorë. Ai ka theksuar se që nga viti 2011, kur Aeroporti menaxhohet nga kompania “Limak” janë shuar veprimet sindikale.