Lëvizja Vetëvendosje, gjegjësisht Komiteti për siguri i kësaj partie, ka mbajtur konferencë për media në lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.
Në këtë konferencë, Gjeneral Brigade, Enver Dugolli, ka folur lidhur me pajisjen e Serbisë me armatim, duke thënë se ajo po shndërrohet në forcën kryesore të armatosur në rajon, raporton “Koha Ditore”.
Ai ka shtruar pyetjen se për çfarë po armatoset Serbia, ndërsa ka thënë se “Serbia i ka të njëjtat plane për Kosovën sikurse në kohën e Millosheviqit”.
Ai ka thënë se veprimet e Serbisë në këtë aspekt po përcillen në heshtje nga ana e institucioneve të vendit.
Ndërkohë që Kolonel Shemsi Syla ka thënë se është shqetësuese se si Ministria e Mbrojtjes nuk e ka shpenzuar buxhetin për shpenzime kapitale. Sipas tij, deri më tani vetëm 3 për qind e buxhetit është shfrytëzuar.
“Ne me kohë u kemi treguar që buxheti është i vogël e edhe atë buxhet nuk e kanë shpenzuar. Ministria e Mbrojtjes nuk ka ditur që të shpenzojë si duhet buxhetin”, ka thënë Syla.