Blerësi i fabrikës për përpunimin e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, kompania “Emona” SHPK e Vushtrrisë, nuk ka mundur t’i paguajë 6 milionë euro në afatin e caktuar deri më 2.8.2019, ndërkohë që administratori i caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Vyrtyt Ibrahimaga, ka ftuar përfaqësuesit e dy sindikatave të “Llamkosit”: SPP-në dhe SPSP-në, me të cilët është dakorduar që fabrika t’i jepet ofertuesit të dytë, një kompanie të përzier shqiptaro-gjermane, e cila kishte ofruar çmimin prej 5.8 milionë eurosh, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Fabrika për përpunimin e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, njëri prej gjigantëve më të mëdhenj ekonomik jo vetëm të komunës së Vushtrrisë, as nuk po mund të privatizohet, as të rifunksionalizohet e as të shitet. Pas dy dështimeve për privatizim, tani ka dështuar edhe shitja e “Llamkosit”, pasi që ofertuesi i parë, kompania vushtrriase “Emona” SHPK, nuk ka arritur që në afatin e caktuar t’i paguajë 6 milionë euro.
Përfaqësuesi i kësaj kompanie kishte kërkuar edhe 10 ditë shtesë, por megjithatë kompania “Emona” SHPK, e cila kishte ofertuar me 6 milionë euro, është tërhequr. Këtë e ka konfirmuar kryetari i njërës prej dy sindikatave të “Llamkosit”, Ragip Hasani, nëpërmes llogarisë së tij në “Facebook”.
“Më 15 prill 2019 është shitur me ankand publik fabrika ‘Llamkos’ e Vushtrrisë, ndërsa më 2.08.2019 ka qenë afati i fundit për pagesën e blerjes së fabrikës nga kompania ‘Emona’ SHPK, mirëpo pagesa nuk është bërë. Siç dihet, fabrikën e ka lejuar për shitje Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Ekonomik, ndërsa shitjen e ka bërë administratori Vyrtyt Ibrahimaga.
Borxhet ndaj punëtorëve për 10 paga nuk po paguhen
Edhe kundër dëshirës së punëtorëve, të cilët disa herë kanë protestuar, duke kërkuar që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi dhe që punëtorët të kthehen në punë, kjo kërkesë nuk është realizuar, ndërsa borxhet ndaj punëtorëve për 10 paga nuk po paguhen. Siç na ka informuar administratori Ibrahimaga, blerësi ‘Emona’ ka kërkuar 10 ditë shtesë për të bërë pagesën”, ka shkruar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani.
Kryesia e SPP-së e “Llamkosit” kishte vendosur që ta mbajë një tubim të punëtorëve për t’u dakorduar nëse do të mbahen protesta, siç ka thënë Hasani, “për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime dhe për mbrojtjen e fabrikës”.
Ndërkaq Enver Muli, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të “Llamkosit”, i tha “Zërit”, të martën, se bashkë edhe me Ragip Hasanin dhe me një tjetër përfaqësues të punëtorëve të “Llamkosit” kanë takuar në Prishtinë Vyrtyt Ibrahimagën, me ftesën e këtij të fundit.
“Administratori na ka ftuar dhe na ka njoftuar se blerësi i parë, pra ‘Emona’ SHPK, është tërhequr. Ai ka kërkuar mendimin tonë, nëse pajtohemi që fabrikën ta marrë ofertuesi i dytë, një kompani e përzier shqiptaro-gjermane, pasi ajo udhëhiqet nga një shqiptar i Vushtrrisë dhe një gjerman. Kjo kompani ka qenë e dyta, pasi që ka ofruar 5.8 milionë euro, ndërsa blerësi ‘Emona’ SHPK kishte ofruar 200 mijë euro më shumë (6 milionë euro). Ne jemi pajtuar dhe të themi të drejtën nuk kemi vendosur kushte. Do të ishte mirë që të dyja sindikatat të dalim me qëndrim të njëjtë”, i tha Muli “Zërit”.
Ndryshe, fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” e Vushtrrisë është shitur më 15 prill 2019 në ankand. Çmimi minimal i caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike, ishte 4.8 milionë euro, ndërsa blerësi, kompania “Emona” SHPK, kishte ofertuar me 6 milionë euro, 1.2 milion euro më shumë se çmimi fillestar. Në këtë mënyrë, pas procesit të falimentimit, “Llamkosi”, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, të paktën për këta 5 muaj ishte bërë pronë e kompanisë “Emona” SHPK, një kompani tregtare vushtrriase me nam në gjithë Kosovën. Kanë qenë edhe 20 kreditorë të “Llamkosit”, të cilët kanë kërkuar hise, në mesin e të cilëve edhe rreth 500 punëtorë të “Llamkosit”, që nuk kanë marrë pagat e tyre për më shumë se 10 muaj dhe ato arrijnë shumën prej mbi 750 mijë eurosh.
Ka pasur edhe një vlerësim të një kompanie (Deloite), e cila e ka vlerësuar fabrikën me 16.8 milionë euro, por në fund ishte vendosur që vlera e minimale e likuidimit të jetë 4.8 milionë euro.
Fabrikës të mos i ndryshohet destinimi
Tepër i zhgënjyer me shitjen e fabrikës kompanisë “Emona” SHPK ishte shprehur kryetari i SP-së i Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani.
“Nuk e di çka të them, fabrikën e ka blerë ‘Emona’, na kemi menduar se e blen dikush që do të vazhdojë të punojë me destinimin që kishte. Ne kemi kërkuar që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi, sepse rrezikohen rreth 500 punëtorë, të cilët do të mbesin pa punë. Ndoshta edhe shpresoj që pronarët e rinj të fabrikës do të vazhdojnë të punojnë dhe të prodhojnë llamarinë, pasi që makineria është në gjendje të mirë dhe ekzistojnë të gjitha pajisjet për të filluar me funksionimin sikur më parë. Ne e dimë se çfarë kompanie është ajo që e ka blerë ‘Llamkosin’, se çfarë aktiviteti zhvillon. Punëtorët shpresojnë të mos i ndryshohet destinimi, të shohim se çfarë do të ndodhë”, ishte shprehur ai, ndërkaq tani kur kjo kompani është tërhequr, edhe Hasani e edhe Muli mbajnë shpresën se ofertuesi i dytë do t’i realizojë kërkesat e tyre, meqë Muli tha se përfaqësuesi shqiptar i kompanisë gjermane, i cili është i një fshati të komunës së Vushtrrisë, është zotuar se kjo kompani në Gjermani funksionon dhe merret me përpunimin e llamarinës.
Fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” në Vushtrri është privatizuar dy herë, por që në të dyja rastet privatizimi pati dështuar. “Llamkosi” ka qenë e destinuar për përpunimin e llamarinës dhe për herë të parë ishte privatizuar në vitin 2005, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit me “Spin-off”-in special.
Kjo formë e privatizimit është aplikuar për ndërmarrjet të cilat janë konsideruar më të mëdha se blerësi. Si rrjedhojë, blerësi nuk ka pasur të drejtë t’ua ndërrojë destinimin e gjithashtu duhej t’i punësonte një numër të caktuar të punëtorëve dhe të realizojë investime të reja.
Në vitin 2015 çështjen e “Llamkosit” e kishte marrë në trajtim Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, e cila edhe e kishte caktuar një administrator, Virtyt Ibrahimaga, për t’i zbatuar procedurat e falimentimit deri në shitje të fabrikës.
ishte thënë, blerësi eventual i “Llamkosit” nuk do ta ketë për obligim t’i shlyejë borxhet ndaj punëtorëve të fabrikës, të cilëve kompania u ka mbetur borxh me rroga për 10 muaj. Janë më shumë se 750 mijë euro, që vlerësohet se janë obligime të pashlyera ndaj rreth 500 punëtorëve. Përkrah kërkesës që të mos i ndryshohet destinimi, punëtorët e “Llamkosit” kërkojnë me ngulm që kompania blerëse t’i punësojë rreth 500 punëtorë, si dhe t’ua paguajë pagat për 10 muaj.