Kalja e Novobërdës është shkatërruar tash e disa vite nga kompania serbe “Koto” e cila ishte nënkontraktuar nga kompania kroate “Omega Engeeniering”, për renovimin e këtij objektit që Këshillit Evropian dhe UNESCO-së i ka kushtuat 1.1 milionë euro.
Por, një përgjegjësi të madhe në mbikëqyrjen e punimeve në Kalanë e Novobërdës e kanë pasur edhe institucionet e Kosovës, të cilat pak janë marrë me të. Këtë e dëshmojnë përveç banorëve të kalasë edhe njohësit e fushës së arkeologjisë në vend.
Mirëpo, pasi që, dje kompania serbe “Koto”, ka dashur t’i rrëzoj muret që duhej rinovuar me eskavator, dhe pas reagimit të opinionit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj përgjegjësve që e kanë dëmtuar Kalanë e Novobërdës.
Plotë 24 orë më parë Gazeta Insajderi, ka dërguar pyetjen në adresë të kësaj ministrie, se pse është lejuar që kompania serbe “Koto”, pa licencë të intervenojë në këtë objekt, ata nuk janë përgjigjur. Njëjtë, gazeta ka vepruar edhe me drejtorin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve Ismet Hajrullahu, mirëpo as ai nuk ka kthyer përgjigje.
Sot, MKRS nëpërmjet një komunikate për media ka treguar se nëpërmjet Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka paraqitur kallëzim kundër Srgjan Gjorgjeviç me banim në Artanë (Novobërdë) dhe kundër kompanisë “KOTO” nga Serbia, konkretisht Beogradi, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e Revitalizimit të Kalasë së Artanës.
Kallëzimi penal ndaj të sipërpërmendurve është bërë sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se të dyshuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, ku Srgjan Gjorgjeviç duke vepruar në emër të kompanisë “Koto” në cilësinë e mbikëqyrësit të Projektit për Revitalizimin e Kalasë së Artanës (Novobërdës) ka kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, kurse kompania “Koto” mban përgjegjësi për veprën penale në cilësinë e personit juridik.
“Kallëzimi penal ndaj të dyshuarve është me arsyetimin se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pas marrjes së njoftimit lidhur me dëmtimet në Kalanë e Artanës më datë 5 shtator 2019 ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas takimit me mbikëqyrësin e kompanisë “Koto” (tani të dyshuarin) e cila po kryen punimet për revitalizimin e Kalasë, ka konstatuar dëmet që i janë shkaktuar mureve të jashtme të Kalasë, si plasaritje të thella të tyre dhe eventualisht ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme. Ky veprim është paraparë si vepër penale sipas ligjit dhe me të drejtë MKRS-ja ka nisur procedurat para vënies para drejtësisë dëmtuesit e trashëgimisë kulturore në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Projekti i revitalizimit të Kalasë së Artanës financohet nga UNESCO dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryej punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesional të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Më datë 2 shtator 2019 duke mos përfillur obligimet për të njoftuar organin mbikëqyrës e cila është në kundërshtim edhe me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, e ka angazhuar një eskavator dhe ka filluar që t’i rrënoj muret rrethuese të Kalasë. Me këto veprime të cilat janë në kundërshtim edhe me standardet e ndërhyrjeve konservuese-restauruese në objekte të trashëgimisë kulturore, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme këtij aseti të trashëgimisë tonë kulturore.
“Pasi që në veprimet e të dyshuarit të përshkruar më lartë qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, si MKRS i kemi propozuar Prokurorit të Shtetit, që ndaj të dyshuarin të ngrisë Aktakuzë në Gjykatën kompetente me propozim që të dënohet sipas ligjit”, përfundojnë nga MKRS.
Kompania serbe “Koto”, qysh para katër ditëve nisi që ta shembë me eskavator Kalanë e Novobërdës. Edhe pse, ata ishin thirrur që t’i renovojnë gjashtë muret e kësaj kalaje, të cilat ishin shkatërruar me fajin e tyre, ata tentuan që ta shembin thuajse rrënjësisht.
Tre punëtorët që ishin angazhuar për këtë projekt madhor, duke se i nervozoi një fjalë e drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Burime të sigurta të Gazetës Insajderi, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, kanë treguar motivin që ka dërguar deri te shembja e mureve të Kalasë së Novobërdës, me eskavator.
“Vjeshta po afron dhe punimet nuk janë efikase në këtë stinë. Janë dërguar vetëm tre punëtorë që të kryejnë renovimet në kala. Drejtori i Institutit të Kosovë për Mbrojtjen e Monumenteve, dhe mbikëqyrësit kosovar, kanë shkuar gati çdo ditë atje. Një ditë drejtori u ka thënë se pse po punojnë vetëm tre punëtorë, duke pas parasysh që tash është stina e vjeshtës dhe punimet nuk janë gati, ata pasi është larguar drejtori dhe mbikëqyrësit, i kanë hy mureve me bage që ta përshpejtojnë punën”, i ka thënë një burim gazetës Insajderi.
Kujtojmë se ky nuk është objekti i parë që kjo kompani po e rinovon në Kosovë. Ata me ndihmën e UNESCO-së, kanë rinovuar edhe katër objekta të tjera, që janë pjesë e listes serbe në UNESCO.