Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë kërkuar që barrierat mes tyre të hiqen përfundimisht. Përfaqësuesit e Odave të këtyre tri shteteve janë takuar në Shkup, ku nga atje kanë thënë se qëllim kryesor i këtij organizimi është rritja e bashkëpunimit rajonal në mes të bizneseve të tri shteteve.
Në Shkup të Maqedonisë Veriore është zhvilluar për herë të parë “Regional B2B Event” organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, përkrahur nga WBF dhe USAID.
Qëllimi i këtij eventi ishte takimi i drejtpërdrejtë i bizneseve rajonale nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë, për zgjerimin e tregjeve në nivel rajonal dhe më gjerë.
Pjesëmarrës në “Regional B2B Event” ishin krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut, Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, Kryeministri Zoran Zaev, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi si dhe përfaqësuesi i zyrës së USAID në Maqedoninë e Veriut Erik Janoësky, të cilët edhe morën nga një fjalë rasti përshëndetëse dhe përgëzuan organizatorët për një ngjarje të këtillë duke e konsideruar si të nevojshme ku edhe premtuan përkrahjen e tyre institucionale.
Kryetari i OEMVP, Nebi Hoxha, ndër të tjera theksoi se rritja e konkurrueshmërisë dhe jetëgjatësia e një kompanie në masë të madhe varet nga rrjetëzimi që ajo kompani ka krijuar. OEMVP, me rrjetin e krijuar, ka parakushte të shkëlqyera që të udhëheq rajonalizimin e ndërmarrjeve nga Maqedonia e Veriut.
“Në këtë drejtim, fokusi duhet të jetë në krijimin e mundësive për zgjerimin e tregjeve të kompanive në tregjet rajonale”, ka theksuar Hoxha.
Ndërsa Kryetari i OAK, Skkënder Krasniqi theksoi se qëllim kryesor i këtij organizimi është rritja e bashkëpunimit rajonal në mes të bizneseve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, andaj është shumë e rëndësishme që ky bashkëpunim të jetë në nivelin më të lartë dhe në interes të dyanshëm.
“Është më se e rëndësishme që të kemi një angazhim të përbashkët për të ndërtuar mekanizma afatgjatë dhe të qëndrueshëm, me qëllim që të kemi kualitet dhe produkte sa më të mira”.
Ndërkaq Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë tha se megjithëse ka rritje të shkëmbimit tregtar Shqipëri, Maqedoni nuk është në nivelin e duhur dhe ka shumë barriera burokratike.
Ai shtoi se duhet patjetër që të gjitha brinjët e trekëndëshit të funksionojnë, në rastin konkret kemi një mangësi të theksuar për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore të Maqedonisë qoftë përkundrejt Shqipërisë qoftë edhe përkundrejt Kosovës të cilat realisht qëndrojnë dhe problematikat që kanë të bëjnë me qarkullimin e shtetit të mallrave dhe të udhëtareve.
Kjo ngjarje përveç takimeve B2B mes kompanive, u karakterizua me Forumin Ekonomik, të zhvilluar në dy panele me temat: “Lehtësimi i tregtisë përmes bashkëpunimit institucional ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë” dhe “Mundësitë e bashkëpunimit, investimeve dhe qasjet e përbashkëta në tregjet rajonale dhe me gjerë”, ku pjesë e diskutimit të këtyre paneleve ishin edhe krerët e Doganave të tre shteteve.
Ndryshe, qëllimet e këtij projekti janë të përmirësohen shërbimet që ofrohen nga OEMVP ndaj biznesit, të përmirësohet qasja e kompanive ndaj burimeve të financimit dhe rritje të investimeve nga kompanitë kryesuese për të përmirësuar zinxhirin e furnizimeve dhe zhvillimin e fuqisë punëtore.