Zyrtarët serbë, gjatë ditës kanë dhënë deklarata të shumta lidhur me Kosovën dhe mundësinë e vazhdimit të dialogut. Ata kanë thënë se Prishtina s’ka shumë opsione për vazhdimin e dialogut pos heqjes së taksës.
Kryeministrja, Ana Brnabic, gjatë ditës ka qëndruar në Luksemburg. Ajo nga aty, ka thënë se shpreson që pas zgjedhjeve, në Kosovë do të mund të vazhdohen negociatat për zgjidhje afatgjate dhe të kompromisit mes Beogradit e Prishtinës.
“Shpresoj që pas zgjedhjeve, do të kemi njerëz që do të jenë mjaftueshëm të guximshëm dhe të përgjegjshëm, fillimisht para qytetarëve të tyre dhe të aftë për të biseduar rreth zgjidhjes afatgjate. Ne do të jemi aty”, ka thënë ajo.
“Nëse ndaloni qarkullimin e mallrave, atëherë nuk kemi çfarë të flasim,” tha Brnabic, duke shtuar se Prishtina duhet të tërheqë vendimin për taksën, e vendosur në nëntorin e vitit të kaluar.
Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, foli edhe homologu i saj, Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel. Bettel tha se është e rëndësishme që Beogradi e Prishtina të vazhdojnë bisedimet dhe të arrijnë kompromis, duke përmendur se marrëveshja e të dyja palëve ishte e rëndësishme për paqen dhe rrugën e tyre drejt BE’së.
“Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është e rëndësishme për qytetarët e të dyja vendeve. Është e rëndësishme të vazhdoni rrugën drejt BE-së, të siguroni paqen për vendet tuaja dhe të arrini kompromis, në mënyrë që të afroheni më shumë me njëri-tjetrin”, ka thënë Bettel.
E për dallim nga Brnabic, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Djuric ishte më i ashpër, duke theksuar se ‘herët ose vonë, Prishtinës do t’i duhej që të kryejë obligimet e veta. Ai ka theksuar se Prishtina nuk pranon asgjë tjetër përpos njohjes nga Serbia, por se kjo nuk do të ndodhë.
“Nuk do të ketë zgjidhje të lehtë e të qëndrueshme lidhur me Kosovën. Kjo nuk do të na lëkundë, derisa përkrahja ndaj serbëve në Kosovë, vetëm sa do të fuqizohet”, tha Djuric për gazetën Veçernje Novosti