Dëshmitarët e Prokurorisë dëshmuan në favor të kardiologëve të akuzuar

Dëshmitarët që Prokuroria Speciale i ka identifikuar si njerëz që mund t’ua mbështesin akuzat në rastin e njohur si “Stenta 2”, ku të akuzuar janë 42 mjekë, kanë dëshmuar të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës në favor të të akuzuarve.

Dy dëshmitarët e sesionit të paradites, Agim Ukaj e Nexhat Dragaj, kanë thënë se nuk e ndiejnë veten palë të dëmtuar, shkruan sot Koha Ditore.

Dëshmitari Ukaj ka rrëfyer se gjatë vitit 2013, nëna e tij kishte qenë e sëmurë nga zemra, për çka edhe e kishte dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës. Sipas tij, në këtë spital i kishin treguar se në QKUK nuk mund të kryhej stentimi, megjithatë ai e kishte dërguar. Në QKUK ai ishte kontrolluar nga Rexhep Manaj, i cili gjithashtu i kishte thënë se ka nevojë për stenta, ndërsa e kishte udhëzuar që të shikonte mundësinë për kompensim nga Ministria e Shëndetësisë.

Reklama e sponzorizuar

Prokurorja Speciale, Florije Salihu-Shamolli, e pyeti dëshmitarin se a ishte takuar në Spitalin e Pejës me doktorin Sali Shala, mirëpo dëshmitari tha se nuk i kujtohet emri, por mund ta ketë përmendur në prokurori.

Prokurorja Shamolli, e pyeti po ashtu dëshmitarin lidhur me disa SMS që doktori Sali Shala kishte shkëmbyer me një përfaqësues të spitalit privat IMH-Astrit Bakiqin, mirëpo Ukaj tha të mos këtë asnjë njohuri për këtë komunikim.