Dy prej kandidatëve për kryeinspektor të punës të afërt me Nismën

Në listën e ngushtë të kandidatëve në konkursin për pozitën e kryeinspektorit të Punës, të cilën është duke e zhvilluar Ministria e Administratës Publike (MAP), kanë hyrë gjashtë persona. Emrat e atyre që kanë hyrë në listë të ngushtë janë Nezir Osmani, Halil Cenaj, Valon Leci, Vesel Zhinipotoku, Ahmet Morina dhe Eshref Vishi. Dy të fundit janë të afërt me Nismën për Kosovën, subjekt ky i koalicionit qeveritar PAN, shkruan sot Koha Ditore.

Morina është drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Malishevës që udhëhiqet nga Nisma, ndërkohë që Vishi është ish-përfaqësues i kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Konkursi për pozitën e kryeinspektorit të punës është hapur pasi që ish-kryeinspektori Basri Ibrahimi, në fund të majit të këtij viti, është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i “Trepçës”. Që nga atëherë, në këtë pozitë, si ushtrues detyre është caktuar Valon Leci, i cili paraprakisht ka qenë në pozitën më të lartë hierarkike pas Ibrahimit.

Reklama e sponzorizuar

Gjashtë kandidatët në fjalë janë përzgjedhur për intervistim prej gjithsej 14 aplikuesve për këtë pozitë. Përzgjedhjen e ka bërë një komision, të cilin e ka formuar Ministria e Administratës Publike, pjesë e së cilit janë tre sekretarë të tri ministrive që në këtë mandat qeverisës janë udhëhequr nga Nisma për Kosovën.