Banorët dhe bizneset në Brezovicë janë ankuar se njëri nga hidrocentralet në ndërtim, në zonën e qendrës turistike, ka filluar futjen në gypa të një rrjedhe të lumit Lepenc dhe një të atij Bistrica.
Adil Aliu ka thënë se ndërtimi i një hidrocentrali të ri ka nisur ta marrë e gjithë rrjedhën e përroskave përgjatë qendrës së skijimit në Brezovicë, ndërkohë institucionet lokale e qendrore nuk po i shqyrtojnë ankesat e banorëve, shkruan sot Koha Ditore.
“Ne që punojmë dhe operojmë në Brezovicë kemi telashe nga ndërtimi i një hidrocentrali i cili të gjitha ujërat përgjatë qendrës së skijimit ka nisur t’i fusë nëpër gypa. Në këtë mënyrë po dëmtohen dhjetëra biznese e restorante, andaj në këtë vend nuk do të ketë më qendër të turizmit. Rrjedha e këtyre përroskave kalon nëpërmjet disa restoranteve, andaj mungesa e ujit po i dëmton këto biznese. Ne kemi bërë protesta dhe peticione edhe për hidrocentrale të tjera që janë ndërtuar në këtë komunë, mirëpo deri tashti askush nga institucionet përkatëse nuk i ka marrë parasysh shqetësimet tona”, ka kritikuar Aliu. Sipas tij, banorët sërish do të aktivizohen me organizime të protestave, sepse po dëmtohen edhe parcelat bujqësore. “Të gjithë punojmë edhe me bujqësi, prandaj mungesa e ujërave e dëmton zhvillimin e saj, prandaj në këtë rast të gjithë banorët jemi të kërcënuar dhe nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të largohemi nga kjo komunë”, ka thënë Aliu.
Nga ana tjetër Fikri Hasani, nënkryetar i Komunës së Shtërpcës, gjatë së martës nuk ka qenë i qasshëm.