Komisioni Evropian ka akorduar në total për periudhën 2014-2020 një shumë prej 8.4 milionë eurosh, për zbatimin e programit të përbashkët Shqipëri – Kosovë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Por, me gjithë financimet e vazhdueshme të Komisionit Evropian në kuadër të IPA-s, për mjedisin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, situata në terren në këto zona është thuajse alarmante për shkak të ndotjes së lumenjve në Kosovë e Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.
Ditë më parë është njoftuar se rreth 12 tonë peshq kanë ngordhur në lumin Drini i Bardhë në territorin që administrohet nga Komuna e Prizrenit. Sipas peshkatarëve, ngordhja e peshqve ka ndodhur për shkak të kontaminimit të ujit të lumenjve të kësaj ane, nga hedhja e mbeturinave të kompanive të ndryshme, që veprojnë në Komunën e Prizrenit.
Krahas dëmtimit të florës liqenore dhe lumore, Drini i Bardhë vazhdon të helmojë bagëtinë e fermerëve prizrenas.
Banorë të fshatit Dobrushtë të Prizrenit janë ankuar se po u ngordhin lopët, pasi këto të fundit kanë pirë ujë në Drinin e Bardhë dhe kanë kullotur në brigjet e liqenit të Fierzës në territorin e Kosovës. Ndërkohë që specialistë të mjedisit në Kosovë kanë arritur në konkluzionin se uji në lumin Drini i Bardhë të Prizrenit nuk është i helmuar, duke vlerësuar se ngordhja e peshqve të ketë ndodhur si pasojë e ujit të ndotur nga derdhja e ujërave të zeza të Prizrenit, në pjesën ku Lumbardhi i bashkohet Drinit Bardhë.
Inspektorati nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka sqaruar përse kjo ndodh çdo vit në periudhën e njëjtë, pasi ulet sasia e ujit në lumë dhe rritet sasia e ujërave të zeza.