Hapja e Bankës së Diasporës në Kosovë mbetet vetëm nismë

Në vitin 2018, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës kishte nisur takimet me autoritetet në Kosovë për hapjen e Bankës së Diasporës, por që deri më tani, ende nuk kanë filluar procedurat për një investim të tillë në vend.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që t’i kontaktojë përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, për të themeluar një bankë, të interesuarit duhet fillimisht të aplikojnë për licencë për zhvillim të veprimtarisë bankare në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Reklama e sponzorizuar

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, thotë se janë në pritje të aplikimit nga investitorët e diasporës për hapjen e një banke në Kosovë.

“Kemi pasur disa aksionarë bashkatdhetarë që dëshirojnë të hapin Bankën e Diasporës. Kemi pasur takime, jemi në pritje të aplikacionit”, thotë Mehmeti.

Në anën tjetër, edhe Qëndresa Fazliu, nga Ministria e Diasporës, thotë se ka pasur interesim të investitorëve nga diaspora për hapjen e kësaj banke dhe se janë zhvilluar takime, porse investimi nuk është jetësuar ende.

Ajo shton se interesimi i investitorëve nga diaspora për të shtrirë kapitalin e tyre në Kosovë është i madh, por që duhet krijuar edhe një ambient i favorshëm biznesor.

Ambienti afarist në Kosovë në vazhdimësi është theksuar nga organizata ekonomike se nuk është i kënaqshëm për shkak të procedurave burokratike, pastaj konkurrencës së padrejtë që vjen nga ekonomia joformale, politikat fiskale jofavorizuese e të tjera.