Saktësisht 658.880.85 euro është fatura e shpenzimeve të “armatës politike” në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat janë bërë përgjatë kohës së udhëheqjes nga Shyqiri Bytyqi. Ministria ka prezantuar këtë shumë, por nuk ka ofruar të dhënat veç e veç, për secilin nga pjesëtarët e kësaj armate.
Për pasojë, Koha Ditore nuk ka mundur ta mësojë shumën e saktë të shpenzimeve që ka bërë Bytyqi dhe as të zëvendësministrave, këshilltarëve dhe stafit tjetër mbështetës, që kanë siguruar të ardhura nga buxheti i shtetit.
Përgjatë dy vjetëve, Ministria është drejtuar nga Bytyqi dhe në këtë institucion kanë defiluar edhe nëntë zëvendësministra: Muharrem Nitaj, Heset Sahiti, Arbër Geci, Mustafë Myrtaj, Bajrush Sezairi, Azem Guri, Muhamet Kelmendi, Artan Berisha dhe Heset Sahiti.
Krahas tyre, në kabinetin e Bytyqit kanë kaluar edhe 12 këshilltarë politikë: Fehmi Hysenaj, Fatmir Bytyqi, Valmir Gashi, Vlora Hoti, Gjyzel Shaljani, Skender Susuri, Baton Dushi, Shkodran Imeraj, Arlinda Beka, Arben Dermaku, Ferim Gashi dhe Violeta Dema.
Bazuar në pasqyrën e shpenzimeve, 372.683.93 euro kanë shkuar përgjatë dy vjetëve, vetëm për pagën e ministrit Bytyqi, zëvendësministrave dhe anëtarëve të kabineteve të tyre.