Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë gjetur shkelje ligjore në tenderin për ndërtimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap. Në opinionin e këtij institucioni thuhet se ky aktivitet i prokurimit i Komunës së Podujevës bie ndesh me dy nene të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) dhe një nen të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (RRUOPP).
Në arsyetim thuhet se Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga sistemi elektronik i prokurimit ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ku ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurën e hapur, kontratë publike, të llojit punë, me vlerë të mesme të parashikuar prej 50.362.40 eurosh, shkruan sot Koha Ditore.
“Agjencia, pasi ka analizuar me kujdes njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ka vërejtur që në njoftimin për kontratë në nenin III.2.4 (Kapaciteti teknik dhe profesional), tek pika 1. është kërkuar që ‘Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata në lëmin e kërkuar në vlerën minimale prej 75.000.00 euro në 3 vjetët e fundit (duke filluar nga data e publikimit të njoftimit për kontratë), ku në tender të vlerës së kërkuar operatori ekonomik duhet të ketë minimum 1 projekt të realizuar në lëmin e ndërtimit dhe rregullimit të shtratit të lumenjve në vlerë jo më pak se 35.000.00 euro”.
Kjo kërkesë, sipas Agjencisë, nuk është në pajtim me dispozitat e Ligjit në fuqi për prokurimin publik, më saktësisht me nenin 69. Kundërkorrupsioni konsideron se Autoriteti Kontraktues nuk ka të drejtë të bëjë kufizimin e numrit të kontratave dhe referencave në vlerën e caktuar.