Kurti: Reciprociteti i plotë me Serbinë, zmbraps trysnitë ndërkombëtare mbi Kosovën

Ekip negociator për dialog parimor, i cili do të dakordohet edhe me Brukselin, ka premtuar Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.

Nëse merr besimin e zgjedhësve të Kosovës, Kurti ka thënë se brenda muajit do ta nxjerrin një bilanc për 33 marrëveshjet e Brukselit nga dialogu gjashtëvjeçar; do të nisin dialogun me serbët e Kosovës dhe dialogun me Brukselin për negociatat me Serbinë.

Sa u përket opsioneve që implikojnë ndryshim të kufijve në Ballkan, lideri i VV-së ka thënë se ideja nuk ka vdekur, por është shprehur i bindur se projekti ka dështuar.

Reklama e sponzorizuar

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Kurti ka folur për qasjen e tij në raport me taksën ndaj mallrave me origjinë nga Serbia. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka bërë fushatë për bojkotimin e mallrave të Serbisë, Kurti ka thënë se tarifa 100 për qind nuk ka qenë politikë e tyre.

“Ne mendojmë që duke vënë reciprocitetin e plotë me Serbinë, edhe zmbrapsen trysnitë ndërkombëtare dhe akuzat që na bëhen në arenën politike, diplomatike, evropiane e botërore. Por në të njëjtën kohë, edhe i tregojmë Serbisë se nuk është punë çmimi, por dinjiteti dhe integriteti”, ka thënë Kurti, i cili ka treguar se për cilat marrëveshje do të vendoset reciprociteti.

Lideri i Vetëvendosjes, që insistonte në arritjen e një koalicioni parazgjedhor, ka thënë se më nuk do ta lusin LDK-në për krijimin e qeverisë. Subjektit që i kërkonte koalicion parazgjedhor, Kurti ia ka numëruar tri gabimet, për të cilat thotë se e bëjnë të kujdesshëm për bashkëpunim në të ardhmen. /Koha.net/